Prokuroria e Krimeve të Rënda dërgon në gjyq dy personat e akuzuar për një gjobëvënie prej 50 mijë eurosh në dëm të një emigranti në Fier. Ngjarja ka ndodhur në shkurt 2017 kur policia vendosi në pranga shtetasit Nezir Bullaku, 48 vjeç, dhe Afrim Berisha, 29 vjeç, me akuzën e shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie të pasurisë. Pas arrestimit të dy personave në Fier dosja u transferua te Krimet e Rënda, për shkak të kompetencës së hetimit të veprës penale. Organi i Akuzës ka përfunduar tashmë hetimet dhe në datën 13 qershor 2017, dosja është nisur për në gjykatë, ku pritet të fillojë shqyrtimi gjyqësor i provave e dëshmive të mbledhura nga ana e prokurorisë.
Sipas tyre, dy të pandehurit akuzohen se kanë kryer veprën penale “shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 109/1 dhe 25 të Kodit Penal. Në cilësinë e provës materiale mësohet se në gjykatë janë paraqitur një sasi prej 3 mijë eurosh, të cilën dy personat e kishin marrë nga i dëmtuari në momentin kur policia ndërhyri duke bërë arrestimin e tyre. Policia në momentin e arrestimit të dy shtetasve ka thënë se një prej të dyshuarve, pikërisht Nezir Bullaku, banues në Dërmenas, rezulton i dënuar më parë për vrasje në tentativë.
GJOBËVËNIA
I dëmtuar nga ngjarja e gjobëvënies në Fier, sipas prokurorisë ka qenë një emigrant me iniciale E.R. Në fakt, gjatë gjithë periudhës në të cilën atij i janë bërë kërcënime, shtetasi E.R. kishte paguar gjithsej 31 mijë euro, edhe pse autorët i kërkonin një shumë totale prej 50 mijë eurosh. Dy të akuzuarit u arrestuan në flagrancë më 10 shkurt 2017 në ambientet e një lokali ku kishin lënë takim me emigrantin, i cili duhet t’u dorë zonte shumë e parave.
Aksioni i policisë është zhvilluar, pasi emigranti me iniciale E.R. kishte shkuar në Policinë e Fierit dhe kishte bërë denoncim. Ai ishte instruktuar nga policia që t’i takonte gjobëvënësit e t’u jepte shumën e parave, në mënyrë që më pas të bëhej ndërhyrja e forcave të rendit. Pikërisht, siç ishte parashikuar, operacioni përfundoi me sekuestrimin në cilësinë e provës, përveç parave, edhe të një karikatori pistoletë dhe aparatet e celularëve të përdorur nga autorët e dyshuar.
Emigranti ka thënë në polici se si pasojë e kërcënimeve detyrohej t’i gjente paratë edhe duke i marrë borxh për t’iu përgjigjur në kohë dy personave, të cilët e kërcënonin se do t’i bënin keq familjes apo edhe atë vetë atij. Momenti i kallëzimit kishte qenë pikërisht koha kur emigranti nuk po arrinte të gjente shumën e parave të radhës që i kërkonin autorët. Ai ka parë si rrugëzgjidhje të vetme kallëzimin në polici, ku ka thënë se prej një viti kërcënohej nga dy personat dhe u kishte dhënë atyre 31500 euro vetëm që të mos kishte probleme në familjen e tij.
ma.me