Policia italiane e Maceratës e rajonit Marke ka sekuestruar në orët e para të mëngjesit të sotëm një gomone me rreth 700 kg marijuanë në bord.
Gomonia ishte braktisur nga skafistët në bregdetin e plazhit Porto Recanati të Macerratës. Lënda narkotike ishte konfeksionuar në 28 pako të mëdha me rreth 30 kg drogë secila. Vlera e saj në tregun e shitjes do të sillte një përfitim prej 5 milionë euro. Gomonia ishte e pajisur me 2 motorra të fuqishëm prej 200 kuaj fuqi secili dhe brenda saj policia italaine ka gjetur gjithashtu dhe 29 bidona me benzinë.
Lënda narkotike dyshohet se vinte nga Shqipëria e se është braktisur nga skafistët në tentativën për t’i shpëtuar kontrollit të rojes bregdetare italiane. Supozohet se moti i keq e deti mjaft i trazuar gjatë natës ka ndryshuar drejtimin e gomones. Skafistët kanë zbarkuar në destinacion e gabuar siç është Porti Recanati e kanë braktisuar gomonen në pamundësi për ta dorëzuar lëndën narkotike tek trafikantët e tjerë që e prisnin në tokë. /ora news