SHBA– Në përpjekje për të çmontuar ligjin për kujdesin shëndetsor udhëheqësit republikanë në senat vendosën të shtyjnë votimin e variantit të tyre për ligjin. Vendimi vjen pas një analize të pavarur që arrin në përfundimin se 22 milionë njerëz do të humbasnin sigurimin shëndetsor gjatë dekadës së ardhshme nëse miratohej propozimi republikan.
Udhëheqësi i shumicës në senat Mitch McConnell u tha kolegëve të tij republikanë se ai do ta shtyjë votimin e planifikuar të kryhej këtë javë, deri pas 4 korrikut përvjetorit të pavarësisë së vendit.
Disa ligjvënës republikanë kishin bërë të ditur se nuk janë dakort me këtë projektligj, gjë që e detyroi senatorin McConnell të heqë dorë prej planit për ta hedhur në votë deri në fund të javës, përpara se ligjvënësit të largoheshin nga Uashingtoni për festën.
Kundërshtarët e ndryshimeve në ligjin shëndetësor thanë se plani republikan do t’i kushtonte shumë amerikanëve të varfër, disa të tjerë thonë se nuk përban ndryshime thelbësore të dispozitave kyçe të ligjit shtatëvjeçar të njohur gjerësisht si “Obamacare”.
Në senat republikanët kanë një shumicë prej 52 vendesh ndërsa demokratët 48. Në një kohë kur të gjithë demokratët e kundërshtojnë shfuqizimin e ligjit egzistues, republikanët nuk mund të humbasin më shumë se dy vota në mënyrë që të kalojnë propozimin e tyre, por edhe në këtë rast duke përdorur votën e nënpresidentit Mike Pence me qëllim zhbllokimin e një votimi 50 me 50 të ligjit.
Por të paktën katër republikanë njoftuan se do të votonin kundër madje edhe për fillim e debatit mbi planin, ndërsa të tjerët kanë shprehur gjithashtu rezerva lidhur me propozimin, duke lënë në dyshim votën e tyre./voa/
a.ç