Sali Berisha është deputeti i cili do të duhet të drejtojë seancën e parë të Kuvendit të ri, të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit.
Sipas rregullores seanca do të çelet nga deputeti më i vjetër i Parlamentit, që në këtë rast është ish-kryeministri Berisha.
Drejtuesi i përkohshëm i seancës do të ngrejë një sekretariat prej tre deputetësh, të cilët do bëjnë verifikimin formal të mandateve duke paraqitur një raport.
Pas verifikimit të mandateve, 140 deputetët do të bëjnë betimin në seancë.
Sipas Kushtetutës, mandati i Kuvendit fillon me mbledhjen e parë të tij pas zgjedhjeve dhe përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt nga data e mbledhjes së parë.
Ligji themeltar i shtetit sanksionon (neni 67), se Presidenti i Republikës e mbledh Kuvendin e porsazgjedhur jo më parë se data e përfundimit të mandatit të Kuvendit paraardhës, por jo më vonë se 10 ditë pas mbarimit të këtij mandati.
Kujtojmë se në vitin 2013, pas humbjes së zgjedhjeve, Berisha e refuzoi hapjen e legjislaturës, ç’ka detyroi socialistin Namik Dokle, si deputetin më të vjetër në moshë pas tij, të ishte drejtues i seancës raporton Panorama. Nuk dihet nëse Berisha do ta refuzojë edhe kësaj here drejtimin e seancës së parë Kuvendit, i ndarë kësaj here me 74 deputetë të PS, 43 të PD, 19 të LSI, 3 PDIU dhe Tom Doshin.