Nga Dr. Mirela Sinani
Prof. Dr. Gjergj Sinani
Po i drejtohemi publikut të gjerë duke përdorur mjetin par excellence të demokracisë, median, pasi, siç shkruante Tokëvili, kur autoriteti shtetëror është i shurdhët, mjeti më i mirë për t’u dëgjuar është media. Shkurt, shteti (MAS) ka detyrimin të bëjë transparente të gjitha hallkat e procedurës së konkursit. Dikur Kanti shkruante se “Pa publicitet, nuk ka demokraci”.
Një demokraci e shëndetshme ecën kur imperativi ekzistencial i qytetarëve duhet të jetë shpirti i protestës. Jo më kot, në 1951 Kamy do të shprehte këtë imperativ në veprën “Njeriu i revoltuar” me fjalët: “Në provën e përditshme që është jona, revolta luan të njejtin rol si “cogito” në rendin e mendimit: ajo është dëshmia e parë. Por kjo dëshmi e nxjerr njeriun nga vetmia e tij. Ajo është vendi i përbashkët që vendos mbi të gjithë njerëzit vlerën e parë. Unë revoltohem, prandaj ne jemi”. Sigurisht, unë mund ta kaloja këtë ngjarje me fjalët e Niçes; “Fali o Zot se janë të pafajshëm në vogëlsinë e tyre”, por, meqë filozofia ka të bëjë me mendjen e njerëzve dhe teksti i filozofisë është një çështje e interesit të përgjithshëm ky skandal me tekstin e filozofisë nuk duhet të kalojë kaq thjeshtë.
Në muajin maj MAS zhvilloi një konkurs për tekstet e filozofisë së shkollave të mesme, rezultatet e të cilit dolën më 17 maj. Tekstet ekzistuese të filozofisë së shkollave të mesme kishin dalë nga një konkurs pak vite më parë e për më tepër nuk kishin gjetur përdorim, për faktin se me politika të posacme, vetë MAS kishte pamundësuar zhvillimin e lëndës së filozofisë në shkollat e mesme. Nga ky këndvështrim ishte i pajustifikuar zhvillimi i një konkursi të tillë. Por le të shohim më tej.
Fillimisht, jemi të detyruar t’ju kujtojmë disa gjëra që, publiku i gjerë edhe nuk i di, sepse politika qëllimisht i ka mbuluar me harresë. Mësimi i Filozofisë në shkollat e mesme këtë çerek shekulli është mundësuar vetëm falë këmbënguljes së vazhdueshme e të pandërprerë tonës personalisht, që fatmirësisht disa ministra arsimi e kanë mbështetur, përpjekje që u shoqërua me ofrimin e teksteve të filozofisë të niveleve europiane. Këto tekste jo vetëm u ndërtuan përmes konsultimit me tekste të shkollave europiane të të njejtit nivel, por edhe mbajnë vulën e kompetencave profesionale të çertifikuara në Europë e të thelluara më tej gjatë këtij çerek shekulli mësimdhënieje universitare në kushtet e demokracisë. E theksojmë këtë, sepse dega e filozofisë është e vetmja degë në universitet që u mbyll 2 vjet dhe iu nënshtrua një ristrukturimi tërësor të programeve dhe leksioneve për të sjellë një interpretim të koncepteve e njohurive nën dritën e mendimit europian të niveleve bashkëkohore, gjë që nuk ndodhi as me degën juridik, apo të tjera si ekonomia, historia, etj. Ristrukturimi nuk ka qenë aspak i lehtë ngado që ta zësh. Një numër i konsiderueshëm pedagogësh nuk e gjetën të leverdisshme të punonin për rinovimin total të leksioneve e të programeve kundrejt një mbështetjeje zero nga shteti, dhe të ballafaquar me një pagë qesharake, e gjetën më të lehtë angazhimin nëpër fondacione, zyra tregtare, biznese ku fitimi ishte shumë më i lartë.
Akoma sot, shumëkush, madje, as nuk e di që ka një degë të filozofisë në UT, e sigurisht as nuk e merr me mend çfarë impenjimi kolosal ka kërkuar sendërtimi i saj. Gjithshka është kryer me sakrifica vetjake, duke hequr nga buka e gojës e fëmijëve për të porositur librat më të mirë e botimet më të fundit europiane me qëllim që qysh në fillim të demokracisë (viti 1992-1994) t’u ofronim studentëve mendimin filosofik europian të çliruar nga këndvështrimet e ngurta politiko-ideologjike. Dhe jo vetëm kaq, por me mbështetjen e kolegëve në rrethe të tjera, kemi mundësuar çeljen e degëve të filosofisë edhe në Universitetet e Elbasanit e të Korçës.
Sa i takon mësimit të filozofisë në shkollat e mesme, padyshim kemi gjetur mbështetje nga ministra të ndryshëm të arsimit, se përndryshe mësimi i saj nuk mund të përfshihej në programet mësimore, megjithëse pazëshëm, shumë rryma të fuqishme janë përpjekur ta eliminojnë mësimin e filosofisë, duke sajuar çfarëdo justifikimesh. Këto sulme kanë qenë pothuaj të pandërprera, dhe, mësuesit e filozofisë nëpër shkolla as nuk e dinë se vetëm me shumë përpjekje është ruajtur i paprekur gjithë zinxhiri i mësimdhënësve të filozofisë, përfshirë këtu edhe pagat e tyre përmes të cilave sigurojnë jetën e familjeve të tyre. Gjithashtu, në këtë nivel arsimi, për shkak të mungesës së kualifikimeve dhe të paaftësive të mësuesve, shumë prej tyre shpesh e kanë braktisur lëndën e filosofisë duke zgjedhur lëndë të tjera, më të lehta për veten e vet, duke dëmtuar sistemin e mësimit të filozofisë.
Në emër të rinovimeve të programeve apo gjoja të qasjes më pranë interesave të nxënësve janë bërë përpjekje për ta zëvendësuar me lloj-lloj lëndësh, si psikologji, njohuri për shoqërinë, njohuri për ligjin etj, mjaft që në shkollat shqiptare të mos dëgjohej emri “Filozofi”! E qëllimtë apo e rastësishme, ky është fakt. Kulmi arriti kur një ministër arsimi, në 2012, deklaroi se mësuesit e filosofisë nuk kishte pse të ankoheshin se nuk kishin orë mësimi; ata mund të zhvillonin mësim feje. Ndërsa ministrja që e pasoi, ndonëse e krahut të majtë, si të ishte në garë me ministrin e djathtë, shpalli tërë qejf se në shkolla do zhvillohej mësim feje! Madje, këshilltari i saj, Agim Leka, në një farë udhërrëfyesi që na dërgon në emër të MAS se si të bëhet mësimi i fesë në shkollë ka theksuar me bold, “Të vërtetat fetare të librave të shenjtë, ritet dhe praktikat fetare që institucionet fetare dhe besimtarët zbatojnë, nuk mund të jenë as të detyrueshme dhe as objekt diskutimi dhe debati në procesin mësimor-edukativ në arsimin publik. Si burim referimi për të vërtetat fetare mund të shërbejnë librat e shenjtë fetarë dhe burimet filozofike, fetare enciklopedike me autoritet të njohur ndërkombëtar dhe jo çdo burim i pacertifikuar”. Por, shkolla është vend diskutimi? Cili autoritet ia heq shkollës këtë të drejtë? Në shkollë nuk mësohet dogmatika. Kush do t’i çertifikojë burimet e informacionit? Nga i di ky të vërtetat fetare. Ky zotëri kujton se është ende sekretar i propagandës në komitetin e partisë së Elbasanit.
Situata të tilla kaq të rënda që përbëjnë shkelje të hapura të parimit Kushtetues të laicitetit të shtetit, politika shqiptare jo vetëm i kalon si hiçasgjë, por me stilin e shtetit diktatorial, mobilizon edhe vargje përforcuesish që përpunjnë opinionin publik me gjoja nevojën nga poshtë, domethënë kërkesën nga prindërit e nxënësve. Pikërisht këtë gjë e kanë bërë 25 vjet rresht, por ishte hera e parë që politika dilte kaq hapur e prerë: shkelej kushtetuta, shiteshin ndërgjegjet e paformuara të fëmijëve e tok me to edhe interesat strategjike afat shkurtëra e afatgjata të shoqërisë shqiptare, për hir të përfitimeve të çastit për njerëzit e pushtetit.
Matura e vitit 2016 nxorri në dritë situatën skandaloze, ku kishte përfunduar mësimi i filozofisë në shkollat e mesme, për shkak të vendimeve obskurantiste të ministrave të arsimit. Shumë maturantë humbën pikë për të hyrë në universitet, pikërisht sepse nuk kishin zhvilluar kurrë mësim filozofie në shkollë të mesme, jo pse ata nuk donin lëndën e filozofisë, por sepse vendimet e MAS e kishin kthyer filozofinë, këtë lëndë themelore formuese për cilindo, në lëndë me zgjedhje. Dhe jo vetëm kaq. Poshtërsia e këtyre vendimeve qendron në faktin se zgjedhja bëhet e ashtuquajtur zgjedhje, domethënë farsë zgjedhjeje, kur ajo kushtëzohej me numrin e nxënësve, që duhej për të formuar një grup, numër i cili gjithashtu ishte relativisht i lartë. Me anë të klauzolave, vendimi i MAS e asgjëson edhe atë që gjoja e ka pranuar si proces zgjedhjeje! Në të gjithë kryeqytetin e Shqipërisë zor se mund të gjeje shkollë të mesme që të kishte zhvilluar mësim filozofie! Po në nivel vendi? Çfarë përparimi! Çfarë suksesi i reformave në arsim! Dhe politika shqiptare gjoja ka si synim integrimin në Bashkimin Europian.
Mediat shqiptare, duke shkelur interesat publike, i shkuan nga pas me shumë dëshirë klasës politike duke e rrethuar me heshtje këtë skandal. Fundja, nëse rriten breza të paformuar e të paaftë për mendim, ajo që humbet është vetëm ardhmëria e çështjes kombëtare, ardhmëria e çështjes së lirive e të drejtave të njeriut dhe jeta e lirë e kujtdo që është i interesuar për lirinë, ndërsa fitimi i bizneseve mediatiko-politike lulëzon pikërisht mbi këtë injorancë e mungesë lirie.
Një konkurs për tekste shkolle ka disa rregulla, zbatimi i të cilave e bën atë të jetë konkurs, garë. Si të tilla këto rregulla janë të nevojshme për çdo proces konkurimi. Moszbatimi i tyre nuk varej as nga ndonjë proces vetingu, as nga protestuesit në çadër, as nga ndonjë koalicion qeverisës. MAS ka detyrimin ligjor të kryejë transparencën për çdo hallkë të veprimeve të saj. Nuk ka transparencë se si u krijuan juritë e vlerësimit të teksteve, aq më keq kur në to ka patur njerëz pa asnjë njohuri profesionale për filosofinë. Si mund të mendohet që një person pa asnjë njohuri nga fusha të vlerësojë njerëzit më të kualifikuar të fushës?
Nga ana tjetër, personi që duhej të kryente vlerësimin e nivelit shkencor i zgjedhur nga stafi universitar, është thërritur në juri drejtpërdrejt nga këshilltarët e ministres, ndërsa procedura e konkursit e kërkon të dalë nga diskutimi në departamentin e filozofisë. CV-të e autorëve të shpallur fitues janë pa kualifikime në filozofi e shpesh pa diplomë filozofie, që e bën qesharake pretendimin e MAS për t’u ofruar nxënësve tekstet më të mira. Është rrëzuar pikërisht teksti i profesorit që ka krijuar degën e filozofisë, që ka përpunuar dhe riinterpretuar konceptet filozofike me një frymë tëre, që ka dhënë kontributin çerekshekullor për mbajtjen e sistemit të mësimdhënies së filozofisë në shkollat e mesme e në universitet, tekstet e të cilit kanë qenë fituese edhe në konkurset e mëparshme. Gjithashtu nuk ka fituar as teksti tjetër i prezantuar nga pedagogë të degës së filozofisë.
Që tekstet mund të përmirësohen, kjo as nuk diskutohet, por që të hidhen poshtë si pa vlerë tekstet e themeluesve të degës së filozofisë, për t’u hapur vendin teksteve të njerëzve të pakualifikuar e pa diploma filozofie, kjo është poshtërsi, është shfrytëzim i mundit dhe djersës shumëvjeçare të studiuesve të fushës dhe flakje tej si të pavlerë. E për këtë arsye kjo sjellje përbën skandal!
Njëri nga tekstet fitues që kemi mundur ta sigurojmë ka një nivel të turpshëm për shekullin 21-të. Ai mund të ishte i pranueshëm vetëm në një Shqipëri tëpas Luftës së Dytë Botërore, kur shqiptarët në shumicë ishin analfabetë e nuk merrnin vesh nga filozofia, kurse të paktët që njihnin filosofinë e mund të bënin kritikë, ose u detyruan të largohen drejt botës së lirë, si Isuf Luzaj, ose të dergjeshin burgjeve si Arshi Pipa e ta shkruanin filozofinë e tyre në kartat e cigareve!
Ministrja e arsimit këto 4 vjet mbeti duke përsëritur se niset nga interesi më i mirë i nxënësve. A është kjo gjë në interes të nxënësve? Ka ndonjë shqiptar që nuk e kupton këtë? Domethënë, prindërit dhe nxënësit e shkollës së mesme, a duan më mirë të kenë në duar një tekst të përgatitur nga profesionistët më të mirë të fushës, themelues të degës së filosofisë, me përvojë mbi tridhjetëvjeçare në mësimdhënie të filozofisë, që e kanë lidhur tërë jetën e tyre me filozofinë, titullarë lëndësh filozofike në universitet, Medalistë të Artë të filozofisë, apo duan tekstin e hartuar nga punonjës OJQ-sh që të vetmin kualifikim kanë studimet për seksin, punonjës socialë, mësues shkollash të mesme pa kualifikim apo partiakë, që meritat u burojnë nga farefisnia partiake brez pas brezi?
Nuk e dimë çfarë e pengoi MAS t’u përgjigjej pretendimeve të ngritura nga palët humbëse, detyrim që asaj i buron nga Kodi i Procedurave Administrative dhe nga Rregullorja e Konkursit.
MAS jo vetëm nuk dha asnjë shpjegim, por as nuk vuri në dispozicion të palëve asnjë dokument nga dosjet e konkurimit, që përbën përsëri shkelje të procedurave të konkurimit, shkelje të të drejtës kushtetuese për informim dhe të parimit të trasparencës. Kodi i Procedurave Administrative është ligj për veprimtarinë e administratës shtetërore. Kur ky ligj shkelet në të gjithë elementët e tij dhe gjithë veprimtaria administrative në procedurat e konkursit është abuzive, për çfarë lloj shteti pretendohet se do ndërtohet? Ajo që doli nga ky konkurs është vetëm errësira totale e procesit, shteti i shpellës, (shteti i doxa-s do të thoshte Platoni. Doxa = hije, mashtrim, gënjeshtër).
Në kundërshtim me të drejtën e ankimimit, sipas Kodit të Procedurave Administrative dhe rregullave të konkursit që detyron institucionin të rishikojë procedurat dhe të kthejë përgjigje të bazuar në dokumenta zë për zë, për çdo ankim të kryer, ministrja e arsimit, në dt. 25 maj, në ikje e sipër, nxitoi edhe të firmoste katalogun për botimin dhe shpërndarjen nëpër shkolla të teksteve të shpallura fituese.
Sa i takon cilësisë brenda teksteve fituese, këtë do ta bëjmë objekt të një shqyrtimi tjetër të hollësishëm publik. Ndërkaq, përveç cilësisë skandaloze të evidentuar në tekstin fitues, vetë hapja e një konkursi dhe shpallja e fituesve të një konkursi tekstesh, përmes të cilës disa shtëpi botuese fitojnë të drejtat të përfitojnë fonde buxhetore për botim tekstesh, e realizuar në afatet parazgjedhore, a nuk është në shkelje të Kodit Zgjedhor?
Si përfundim, a ishte vërtet e nevojshme një konkurs për tekstet në lëndën e filozofisë, apo u gjet një pretekst që pas një gjoja konkursi të krijohej mundësia për favorizime e shpërblime të bizneseve e të militantëve partiakë? Kjo është ideja e reformës në arsim: Kthimi i militantizmit dhe partitizmit në shkolla si sundimtarë të mendjeve të nxënësve dhe zhbërja e vlerave intelektuale? Këtë kanë bërë të gjitha regjimet tiranike. Demokracia do qytetarë të lirë që mendojnë lirshëm dhe pa shtrëngim në mendim.
“Unë mund të heq dorë nga gjithshka, por jo nga mendimi; kjo është e mira ime më e lartë, madje e mira ime absolute”-shkruante filosofi i burgosur shqiptar Arshi Pipa. Ne jemi përpjekur çerekshekulli për këtë të mirë absolute te nxënësit e mbarë Shqipërisë dhe te studentët tanë.