Zbardhen detaje nga shpërthimi i eksplozivit që ndodhi dje në orët e para të mëngjesit në oborrin e shtëpisë së një oficeri të Krimeve të Rënda të Policisë së Krujës.
Lënda plasëse, e dyshuar tritol, ishte vendosur në makinën e oficerit të Policisë, Trim Murataj, që fatmirësisht shkaktoi vetëm dëme materiale.
Ngjarja ndodhi në rrugën “Kastriotët”, pranë shinave të trenit, në Kodër Kamzë të Tiranës, ku banon familja e 39- vjeçarit Murataj. Automjeti tip “Mercedes Benz”, ngjyrë gri, me targa TR 3742 G, ishte i parkuar në oborrin e shtëpisë së efektivit të Policisë në momentin kur ndodhi shpërthimi.
Burimet thanë për “Panorama” se lënda plasëse ishte vendosur në pjesën e parakolpit të automjetit dhe për pasojë është dëmtuar thuajse tërësisht pjesa e përparme. Shpërthimi ka qenë shumë i fuqishëm dhe është ndjerë në të gjithë zonën.
Por ka qenë vetë efektivi Trim Murataj që ka lajmëruar kolegët e tij të Tiranës, sapo ka dëgjuar shpërthimin e fortë dhe ka parë që kishte ndodhur në derën e shtëpisë së tij. Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë shërbimet e Policisë dhe forcat xheniere që kanë bërë rrethimin e vendit të ngjarjes.
Nga verifikimet e kryera nga ana e grupit hetimor, dyshohet se shpërthimi ka ndodhur nga aktivizimi i një sasie prej rreth 100 gramë tritol. Ndërsa dyshohet se aktivizimi është bërë me fitil zjarrpërcjellës. Çka do të thotë se autorët e ngjarjes kanë qenë të pranishëm në vendngjarje dhe Policia ka verifikuar të gjithë zonën për të gjetur ndonjë gjurmë apo provë që mund të çojë në identifikimin e tyre.
HETIMI
Burime nga grupi hetimor thanë se menjëherë pas ngjarjes, paralelisht me veprimet për gjetjen e provave, është marrë edhe dëshmia e familjarëve dhe e vetë efektivit të Policisë, në pronësi të të cilit ishte makina ku u vendos tritoli. Dëshmia më e rëndësishme konsiderohet ajo e oficerit Trim Murataj, i cili 5 vitet e fundit ka shërbyer si oficer i Krimeve të Rënda në Policinë e Krujës.
Në deklarimet e tij Murataj ka shpjeguar se nuk ka probleme personale me persona të tjerë. Sipas tij, ngjarja mund të ketë lidhje vetëm me detyrën që ai kryen si pjesë e Policisë së Shtetit.
Ai ka deklaruar se vitin e kaluar, por edhe gjatë këtij viti, ka marrë pjesë e ka drejtuar dhjetëra operacione antikanabis në fshatra të ndryshme të Krujës. Sipas tij, kjo mund të jetë arsyeja pse i kanë vendosur eksploziv në makinë. Ai e sheh si një paralajmërim për të hequr dorë nga operacionet antikanabis.
Megjithatë, i pyetur nga kolegët nëse ka marrë ndonjë kërcënim konkret kohët e fundit, ai ka deklaruar se nuk është kanosur në asnjë lloj forme nga askush. Policia tha se aktualisht po analizohen disa prova të gjetura në vendin e ngjarjes, të cilat mund të çojnë në identifikimin e autorëve. /b.d