Automjetit të një oficeri policie ju vendos lëndë shpërthyese gjatë orëve të para të mëngjesit.
Nga shpërthimi i një sasie tritoli pati vetëm dëme materiale, pasi automjeti ishte i parkuar në oborrin e banesës së efektivit Trim Murataj, në rrugën “Kastriotët” pranë shinave të trenit në kthesën e Kamzës.
Sipas policisë, shpërthimi ka ndodhur rreth orës 03:55 dhe blutë e Tiranës janë njoftuar për ngjarjen përmes një telefonate në numrin e emergjencave 112. Nga hetimet e kryera, rezultoi se automjeti është në pronësi të oficerit të Policisë për Krimet e Rënda në komisariatin e Policisë Krujë.
“Dëmtimi i automjetit ka ardhur si pasojë e shpërthimit të një sasie të vogël lënde plasëse të vendosur në pjesën e përparme të saj. Grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj vepre”, thotë policia në një njoftim zyrtar.
Ndërkohë në lidhje me ngjarjen, oficeri Murataj ka deklaruar se nuk ka konflikte. Ai ka punuar edhe gjatë operacioneve të policisë për asgjësimin e parcelave me kanabis në Malësinë e Krujës, dhe një pistë e mundshme e hakmarrjes, nuk përjashtohet nga hetimet.