Individët që kanë borxhe të pashlyera jo vetëm në banka, por edhe institucione të tjera publike dhe private do të jenë të identifikuar zyrtarisht. Banka e Shqipërisë ka hartuar një projektligj, i cili i hap rrugë ngritjes së Byrosë Kombëtare të Kredive.
Ndryshe nga regjistri aktual i kredive, byroja do të ketë informacion shumë më të hollësishëm mbi historikun financiar të çdo individi që ka një borxh. Ajo do të përmbajë informacion jo vetëm mbi borxhet që individët kanë në banka, por edhe detyrimet që ata kanë për faturat e papaguara të energjisë, ujit apo dhe faturave të telefonit.
Top Channel ka mësuar se byroja do të funksionojë me sistem pikëzimi, të ngjashëm me atë të patentës. Për individët të cilët nuk janë korrektë në shlyerjen e borxheve apo faturave do të ketë zbritje të pikëve.
Ky sistem pikëzimi i mundëson bankave, por edhe institucioneve të tjera financiare që të kenë një profil të saktë rreziku për çdo qytetarë apo biznes. Bazat për krijimin e byrosë kombëtare të kredisë janë hedhur nga një marrëveshje mes Bankës Europiane për Rindërtim e Zhvillim dhe qeverisë shqiptare.
Qëllimi i ngritjes së këtij institucioni është ulja e kredive të këqija dhe parandalimi i krijimit të kredive të reja problematike, pasi bankat do ta kenë më të lehtë të evidentojnë qytetarët dhe bizneset që nuk janë korrektë në shlyerjen e borxheve.
Burime nga Banka e Shqipërisë thonë se drafti është përfunduar dhe u është shpërndarë grupeve të interesit. Menjëherë pas komenteve nga palët e interesuara ai do të hyjë në procedurë miratimi dhe pritet që shumë shpejt byroja të bëhet efektive./TCH