Rreth orës 17:50 të ditës së djeshme në vendin e quajtur lokal “Gjermani” në bregdetin e Semanit Fier, policia ka marrë sinjalizimi se ka pasur të shtëna me armë zjarri.
Policia pasi ka vajtuar në vendin e ngjarjes, ka bërë të mundur arrestimin e autorit Ilir Boriçi, 41 vjeç, banues në lagjen “8-Shkurti” Fier, i dënuar më parë për “Armëmbajtje pa leje”.
41-vjeçari, në bregdetin e Semanit, për motive të dobëta, ka qëlluar me armë zjarri në lokalin e A.C, 23 vjeç, duke i shkatërruar sendet, pajisjet e lokalit.
Blutë bëjnë me dije se arrestimi i tij është bërë për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”, “Shkatërrimi i pronës”, “Kanosja” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Gjithashtu u bë arrestimi në flagrancë i Artur Dinaj, 38 vjeç, banues në lagjen “Apollonia”, Fier, i dënuar më parë për “Armëmbajtje pa leje” dhe “Prishje të qetësisë publike”.
Arrestimi i tij është bërë nga policia për veprat penale “Moskallëzim i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Në cilësinë e provës materiale në vendin e ngjarjes u gjetën dhe sekuestruan shtatë gëzhoja pistolete. Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprime të mëtejshme.