Një grindje verbale për arsye politike ka përfunduar me një të plagosur në Vorë.
Burime nga fshati Bërxull bëjnë të ditur për JavaNews se një anëtar i LSI-së është qëlluar me mjete prerëse nga një simpatizant i Partisë Demokratike. Autori është shtetasi N.P, 45 vjeç.
JavaNews mëson se N.P mban detyrën e Drejtorit të Shërbimit Zjarrfikës pranë Bashkisë Vorë, që drejtohet nga Partia Demokratike.
Ngjarja ka ndodhur në zyrat elektorale të PD ku mësohet se i plagosur A.S ka ndërhyrë në takimin elektoral të demokratëve.
Policia ka bërë një njoftim paraprak mbi ngjarjen:
Më datë 21.06.2017, në fshatin Bërxull, tek një lokal i kthyer si zyrë elektorale për një subjekt politik, po zhvillohej një takim, për të cilin nuk është bërë njoftim në Policin e Tiranës.
Rreth orës 12:05, gjatë këtij takimi ka patur një konflikt midis shtetasit N. P., rreth 45 vjeç dhe shtetasit A. S., rreth 40 vjeç.
Konflikti ka degraduar në plagosjen me mjete prerëse të shtetasit A. S., i cili ndodhet në Spital, nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën.
Shtetasi N. P., ndodhet i shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Vorë.
Grupi hetimor në vendin e ngjarjes po punon për sqarimin e rrethanave të konfliktit.