I ftuar në emisionin ‘Studio e Hapur’ gazetares Eni Vasili në ‘News24’ kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka folur për zgjedhjet e 25 qershorit, programin ekonomik të PD si dhe akuzat dhe përplasjet me kundërshtarët politikë. Basha tha se programi ekonomik është hartuar me specialistët më të mirë vendas dhe të huaj. Ai ka komentuar edhe foton me presidentin amerikan dhe zërat se për këtë foto është paguar. Basha u shpreh se fotoja nuk ka kushtuar asnjë qindarkë.
“Pata mundësinë e jashtëzakonshme për tu takuar me Trump. Kjo vizitë dy ditore përkoi me 1 javë të shpallur nga Shtëpia e Bardhë si ‘Java e fuqizimit dhe zhvillimit të fuqisë punëtore’. Kam shfrytëzuar këtë vizitë për takime me biznesmenë dhe investitorë të ndryshëm të cilët kanë shfaqur interes për të investuar në Shqipëri. Rama ka qënë disa herë në SHBA, por ka qenë për piktura dhe ndeshje basketbolli. Nuk besoj se investitorët amerikanë do vijën në një vend ku taksa është me lartë në Ballkan. Ku të huajt rrihen në mes të ditës nga banditët. Me mua gjerat do ndryshojnë, pasi taksat do jenë të ulëta. Ne nuk do mbledhim taksa, por do hapim vende pune. Trump është një njeri me përvojë ekonomike dhe ka një plan që përkon me planin tim nuk është se unë kam kopjuar Trump, apo anasjelltas, por sepse taksat e ulëta garantojnë punësimin”, tha Basha.
I pyetur mbi reagimin e Ambasadës së SHBA për foton që mbajnë simpatizantët e PD, Basha dha këtë përgjigje
“ Nuk ka asnjë keqpërdorim. Lulzim Basha ka qenë dhe mbetet një lider pro amerikan. Me mua kryeministër lidhjet me SHBA do forcohen dhe konsolidohen. Me planin tim ekonomik do rriten investimet amerikane të cilat sot mungojnë në Shqipër”, tha Basha.
Basha komentoi edhe deklaratat se fotoja me Trump ka kushtuar 20 mijë dollar.
“Po të ishte për çmim, do kishte bërë jo foto, por film Edi Rama se ai e ka provuar se me para blen dhe përpiqet të blejë gjithçka. Kjo fotoja nuk ka kushtuar asnjë qindarkë dhe është e paçmueshme ashtu siç ishte takimi me liderin e botë së lirë presidentin Donald Trump”
Lideri i PD foli edhe për programin ekonomik të PD-së. Ai deklaroi se plani është hartuar me ekspertë të Merkel.
“Ne kemi afro 2 vite që përgatitemi për të nxjerrë Shqipërinë nga kriza. Plani ekonomik lindi nga takimet që kam pasur me studentë, fermerë, me punonjës të sektorit privat. Programi është hartuar me ekspertët më të mirë vendas dhe të huaj. Kanë ardhur ekspertët me të mirë të Merkel. këtu në Tiranë ka ardhur këshilltari i grupit parlamentar të grupit CDU para dy javësh se ky plan ekonomik është hartuar nga CDU i kancelares Merkel dhe është i zbatueshëm. Ky plan do zbatohet me mbështetjen e partnerëve evropianë dhe amerikanë. Me uljen e taksave ne do tërheqim investimet.”, tha Basha.
a.ç