“Militaire.gr”, portali grek i lajmeve ushtarake, i ka kërkuar ndjesë ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli, për lajmin e publikuar në dhjetor të vitit të kaluar.
Sipas këtij portali, ministrja kishte punuar si balerinë në një klub nate të Athinës në fillim të viteve ‘90.
Kryeredaktori: Lajmi i pavërtetë, sulm i ulët
Rreth 7 muaj më pas është i njëjti portal, kryeredaktori i të cilit, gazetari Paris Karvunopulos, i cili pranon gabimin duke deklaruar se bëhej fjalë për një lajm të pakonfirmuar, të pavërtetë e që ka shërbyer si sulm i ulët ndaj ministres Mimi Kodheli.
“Nga verifikimet e mëvonshme rezultoi se lajmi ishte i pakonfirmuar dhe tërësisht i pavërtetë. Madje, në periudhën së cilës i referohet lajmi zonja Kodheli nuk ka qenë fare në Greqi”, ka deklaruar Karvunopulos.
(Përgënjeshtrimi i lajmit nga vetë portali “Militaire.gr”)
Ai ka shtuar se edhe të dhënat e publikuara në të njëjtin artikull se ministrja shqiptare ka qenë simpatizante e nazizmit është i pavërtetë dhe dëmton imazhin personal e institucional të ministres.
“Ndaj zotohemi se në të ardhmen do të verifikojmë dhe konfirmojmë çdo lajm dhe informacion që i referohet zonjës Kodheli. Pranojmë se lajmi i publikuar prej nesh ishte një koment politik, i cili u shfrytëzua në mënyrën më barbare nga një pjesë e caktuar e klasës politike dhe opinionit publik në Greqi, por edhe në Shqipëri”, thuhet në ndjesën e portalit.
Ndjesa e faqes greke vjen pasi ministrja ngriti padinë.
a.ç