Pas ankesave të disa familjeve rome, institucioni i Avokatit të Popullit ka nisur një hetim për zbatimin e procedurave ligjore, për prishjen e banesave që preken nga ndërtimi i Unazës së Madhe.
Alket Jaupi, eksperti i Avokatit të Popullit është takuar me banorët e zonës. Ata kanë ngritur pretendimet se 9 familje të komunitetit rom janë njoftuar vetëm verbalisht nga ana e punonjësve të IKMT-së, për prishjen e banesave të tyre dhe nuk kanë marrë asnjë vendim të shkruar me afate konkrete për t’u larguar nga shtëpitë.
Përfaqësuesit e këtyre familjeve ngrenë pretendimin se disponojnë dokumentacion, i cili vërteton se banesat e tyre janë ndërtime ekzistuese, para gushtit të vitit 1991.
Në hetimin e kësaj çështje, Avokati i Popullit ka kërkuar dokumentacionin përkatës nga ana e familjeve të komunitetit rome që vërteton se banesat e tyre janë objekte ekzistuese të para vitit 1991. Gjithashtu, po hetohet edhe në lidhje me fillimin e procedurës administrative nga ana e Bashkisë Tiranë për trajtimin e cështjes së këtyre familjeve në bazë të VKM nr. 608 dt. 05. 09.2012. Avokati i Popullit ka kërkuar edhe nga ana e IKMT-së vënien në dispozicion të praktikës dokumentare administrative që lidhet me njoftimet verbale të dërguara këtyre familjeve pak ditë më parë.
Nëse vërtetohet se këto objekte janë të ndërtuara para gushtit të 1991, konstaton institucioni i Avokatit të Popullit, atëherë çdo vendim i nxjerrë nga ALUIZNI për përjashtim nga procesi i legalizimit për këto raste, dhe çdo praktike administrative e filluar nga IKMT janë të paligjshme.
“I bëjmë thirrje organeve përkatëse të administratës publike të bëjnë kujdes në trajtimin e çështjes së këtyre 9 familjeve rome, që preken nga ndërtimi i Unazës së re në Selitë, me qëllim që të kemi respektim të plotë të procedurave ligjore të ndjekura, në funksion të të drejtave që gëzojnë këto familje”, thuhet në njoftimi e AP-së.