Në kuadër të takimeve elektorale për zgjedhjet e përgjithshme të 25 qershorit, Kryebashkiaku Erion Veliaj bëri thirrje nga Kamza që të votojnë masivisht Edi Ramën dhe të shkëputen përfundimisht nga modeli i Xhelal Mziut dhe i Lulzim Bashës në gjumë. Veliaj theksoi se ka ardhur koha që të zgjidhet edhe Kamza. “Miqtë e mi ne na ndan vetëm një urë, ne na ndan vetëm një lumë, ne na ndajnë vetëm pak metra nga modeli i Tiranës në punë dhe modeli i Kamzës, i Xhelalit dhe i Lulit në gjumë. Ka ardhur koha që të zgjohet edhe Kamza. Ka ardhur koha që të zgjohet edhe ky qytet, ka ardhur koha që të zgjohet edhe kjo bashki, ka ardhur koha që Kamza të bëhet me Partinë Socialiste të Shqipërisë dhe me Edi Ramën”, tha ai.
Duke theksuar fuqinë që ka vota në zgjedhjet e 25 qershorit, Veliaj deklaroi se oferta e Edi Ramës për të gjithë shqiptarët është për më shumë punë, zhvillim dhe mirëqenie. “Ndryshimin e kemi vetë në dorë për ta çuar dhe Kamzën me Shqipërinë që duam. Miqtë e mi, unë e njoh shumë mirë Edi Ramën, por di t’ju them nga bashkia e Tiranës, unë e njoh shumë mirë dhe Lulzim Bashën, nga puna e njoh shumë mirë edhe Xhelal Mziun. Më besoni, edhe Xhelal Mziu është më i mirë se Lul Basha, me gjithë problemet që ka edhe Xhelali është më i mirë se Lul Basha. Po ju vjen një ofertë, oferta është e Edi Ramës për punë, për zhvillim, për mirëqenie, për shtet, oferta e Xhelalit dhe e Lulit është për gjumë. Kamza do zgjedhë punën, do zgjedhë zhvillimin. Nuk ka asnjë arsye pse Tirana të ecë përpara dhe Kamza të rrijë mbrapa. E kemi vetë në dorë”, deklaroi Veliaj./a.m.