Viktimat e Kullës Grenfell mund të mos identifikohen kurrë të gjitha. Policia londineze paralajmëron se kjo mund të jetë një detyrë e pamundur për të. 30 të vdekur është bilanci zyrtar i tragjedisë, por të zhdukurit nga zjarri që shkrumboi ndërtesën shumëkatëshe në perëndim të kryeqytetit britanik, janë rreth 76.
Kryeministrja Theresa May, e përballur me një rrebesh kritikash për faktin se nuk takoi të mbijetuarit e fatkeqësisë gjatë vizitës në vendngjarje, kërkon hetim të plotë e këmbëngul se viktimat meritojnë përgjigje.
Në kërkimin e arsyes përse kulla u dogj aq shpejt, vëmendja po spostohet gjithmonë e më shumë tek shtresa e përdorur për mbulimin e strukturës metalike. Ekspertët janë të mendimit se mund të ishte përdorur një lloj tjetër materiali, shumë më rezistent ndaj zjarrit. Kjo ka nxitur thirrjet për verifikimin e godinave të tjera të cilat mund të jenë gjithashtu të rrezikuara nga i njëjti problem. /b.d