Kreu i FRD-së dhe ish-presidenti Bamir Topi është skeptik për rezultatin që do të prodhojë marrëveshja mes Kryeministrit Rama dhe kreut të opozitës, Basha. Në një takim me mbështetës të FRD-së në qytetin e Korçës, Topi sqaroi se marrëveshja është në pikëpyetje për aq kohë sa nuk ka ndryshime në kod për këto zgjedhje parlamentare.
“Fakti që janë mbledhur në orët e vona, kanë shumë dyshime për këtë punë për ça janë mbledhur dhe kanë vendosur që korrigjimin e Kodit Zgjedhor të mos e bëjnë në funksion të këtyre zgjedhjeve. Atëherë ne jemi në një pikëpyetje të madhe se si do të jetë rregullsia e këtyre zgjedhjeve. Ne kemi shpresuar tek faktori ndërkombëtar, por me sa duket edhe në këtë rast faktori ka qenë i pafuqishëm”, deklaroi Topi.
Një tjetër element i fushatës zgjedhore që kreu i FRD-së solli në vëmendje, ishte gjuha që po përdorin partitë dhe kandidatët e tyre. Duke nënvizuar se FRD është parti e qendrës së djathtë, Topi deklaroi se përfaqësohet në të gjithë vendin me kandidatë dinjitozë.
“FRD me të gjithë përfaqësuesit e saj nga Tirana dhe në të gjithë qytetet e Shqipërisë përfaqësohet me njerëz dinjitozë, të ndershëm. FRD sfidën e parë e ka për t’u futur në Parlament”, deklaroi kreu i FRD-së.
ma.me