Nga Ndriçim Kulla/
Me Erion Veliajn jemi ndarë politikisht 25 shekuj më parë, me ndarjen e madhe të filozofisë politike në linjën e Sokratit dhe atë të Platonit. Këtu kam parasysh atë që thotë Karl Popperi në librin e tij “Shoqëria e Hapur dhe armiqtë e saj”. Me z. Veliaj mund të kem debate të gjata dhe ndoshta të ashpër politike, por në fillim do t’ i them “Chapeau për sheshin z. Veliaj!”
Që në shqip do të thotë: “Të heq kapelen në shenjë respekti për punën e shkëlqyer që ke bërë!” Dhe e dini përse? Sepse Tirana nuk kishte pasur kurrë një shesh qendror. Sheshi i parë që nisi të ndërtohet sipas një projekti italian në kohën e Mbretit Zog, dhe më pas gjatë pushtimit fashist, mbeti i papërfunduar, mbeti si një gjysmësheshi. Arkitektët italianë e kishin planifikuar si një shesh në trajtë elipsi që duhet të përmbyllej me disa ndërtesa të tjera si të korpusit të ministrive. Në kohën e pushtetit komunist ky model u braktis madje u prish bashkia e vjetër që ishte ndërtuar në funksion të këtij projekti diku mes Bankës së Shqipërisë dhe Muzeut Historik. Shteti komunist e cungoi gjysmësheshin e vjetër dhe ndërtoi gjysmësheshin e tij, me Pallatin e Kulturës, Hotel “Tiranën” dhe Muzeun Historik Kombëtar. Kështu kishim dy gjysmësheshe që nuk harmonizoheshin midis tyre. Z. Veliaj po bën diçka më madhështore sesa sheshin, ai po i fut ndërtesat që rrethojnë dy gjysmësheshet në një kornizë ndërtesash ultramoderne, që do të ndërtohen përreth tyre dhe që do ta bëjnë të duket hapësirën e sheshit si të rrethuar me një kompleks ndërtimesh harmonike.
Sheshi në fund të fundit nuk është vetëm hapësira, por është një kompleks arkitektonik së bashku me ndërtesat përreth tij. Sheshet më të famshëm të botës e kanë bukurinë në kompleksitetin e tyre. Z. Veliaj arriti të gjejë një zgjidhje për një problem që kishte 100 vjet që nuk po zgjidhej dot. Dhe nuk po zgjidhej jo thjesht për paaftësi të pushtetarëve, qendrorë dhe lokalë të regjimeve të ndryshme që kalonin mbi shesh, por sepse ata të gjithë kishin një të përbashkët, e shikonin sheshin me syrin e demagogut, si një vend të përshtatshëm ku do t’ u drejtoheshin turmave të thirrura në mitingje. Sa kohë sheshi e bënte këtë shërbim për ta ishte në rregull. Jashtë kësaj, sheshi ishte kryqëzimi më i madh i trafikut rrugor në Shqipëri. Por kjo nuk iu prishte punë politikanëve, se kur donin ta përdornin sheshin për mitingjet e tyre, ata e ndalonin trafikun rrugor duke bllokuar rrugët që të çojnë në shesh me anë të Policisë.
Z.Veliaj është i pari pushtetar që nuk e mendoi sheshin si një vend mitingjesh, por si një town square në kuptimin modern të fjalës, dhe guxoj të them si një agorë në kuptimin antik të fjalës. Me sheshin prezantohet si i pari politikan shqiptar postdemagogjik.
Të them të drejtën, e kam të vështirë të gjej kritika për sheshin. Rrëketë e ujit në shesh, te të cilat disa duan të kapen për ta sharë sheshin, më duken një gjetje shumë e bukur sepse i japin sheshit pamjen e një esplanade. Esplanadat janë rrugë, shëtitore, në anë të lumenjve. Tirana nuk ka esplanadë se nuk ka një lumë të vërtetë. Por kur hyn në shesh dhe sheh si rrjedhin rrëketë e ujit të duket vetja sikur ecën në një esplanadë në anë të ujërave. Dhe sa kalon rrëkezat e ujit që të krijojnë idenë e lumenjve, kur hyn në hapësirën me pemë, të duket se ke hyrë në një pyll, si ata anës lumenjve. Kjo ide mund të vazhdojë nëse ndalon dhe çlodhesh atje, ose të kalojë në çast, nëse vazhdon rrugën që të jep një tjetër befasi.
Sheshi pra është magjik, ai shndërrohet në forma të ndryshme. Është një mozaik i gjeografisë së Shqipërisë madje përtej kufijve shtetërorë, i hapësirës kombëtare.
Sa për pllakat me të cilat është shtruar sheshi në pjesën e tij qendrore, dëgjoj vërejtje për formën e tyre të thjeshtë katrore. Por Piazza della Signoria në Firence a nuk është e shtruar me pllaka në formë të thjeshtë katërkëndore? Sheshi Wenceslas në Pragë a nuk është i shtruar me pllaka katrore të vogla?
Dhe është e gabuar të mendosh që pllakat e sheshit tonë janë aq të thjeshta sa duken në pamje të parë. Nuk është tamam kështu. Sepse kur rrjedhin rrëketë e ujërave, pllakat duket sikur ndryshojnë formë, dhe katrori është figura gjeometrike që duket e thjeshtë, por që krijon më shumë iluzione optike nën efekte të tillë. Aq më tepër në mbrëmje kur sheshi është i ndriçuar. Iluzioni i thjeshtësisë gjeometrike të sheshit të largohet kur shëtit në mbrëmje atje, me ndriçimin që reflektohet në pllakat mbi të cilat rrjedhin rrëkeza uji, të mjaftueshme sa për të krijuar bashkëshoqërime idesh, por jo aq të dendura sa të pengojnë ecjen.
Kam parë shumë sheshe në botë, kam ecur nëpër to. Kam ëndërruar që edhe Tirana të ketë të tillë. Në sheshin siç është bërë tani, gjej diçka nga shumë prej këtyre shesheve që kam parë, e megjithatë shoh se sheshi ka origjinalitetin e tij. Gjej diçka nga Pariser Platz në Berlin, por jo një imitim. Gjej diçka nga Yonge Dundas Square në Toronto, por si parim, jo si marrje shabllon. Sa për të përmendur vetëm disa.
Sheshi ynë e plotëson funksionin e tij si civic center. Njerëzit mund të enden nëpër të dhe kjo të mos u duket monotone. Një nga magjitë e sheshit është se mund të dalësh prej tij, të ecësh anash tij, dhe të futesh përsëri në shesh nga një hyrje e re, e ndryshme nga e para. Dhe e gjithë kjo pa qenë nevoja të kapërcesh rrugën automobilistike në një semafor, pra pa dalë nga hapësira pedonale.
Por sheshi ka nevojë për më shumë shërbime të llojit bar-kafeteri, pse jo dhe restorante. Kuptohet në periferitë e tij. Në pjesën e brendshme të sheshit duhet menduar edhe për ofrim shërbimesh të llojit kulturor. Pse të mos ofrojë bashkia disa stenda ku shtëpitë botuese të ndryshme të ekspozojnë librat e tyre. Kështu do të nxitet funksionimi i shtetit edhe si agorë e mendimit. Sheshin do ta vizitojnë çdo ditë dhjetëra mijëra njerëz. Një panair libri i përhershëm. Së paku në ditët me kohë të mirë. Nuk do kishe gjë më të bukur .
Në fund dua t’ i rikthehem vërejtjes që i bëhet projektit se sheshi do të rrethohet me ndërtesa të larta. Por këto ndërtesa do të sigurojnë gjallërinë afatgjatë të sheshit. Se ndërtesat do të ofrojnë shërbime, të cilat do t’ i tërheqin njerëzit pranë sheshit. A nuk është e tillë ideja e Times Square në New York? Dhe është një ide që ka funksionuar. Edhe një herë Chapeau z. Veliaj! / Mapo