Kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi i ftuar në “Arena” nga Dritan Hila në Ora News, tha se nuk do të votonte një koalicion midis Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Partia e tij është aleate me PS-në.
Gjinushi: Pas 4 vjetësh bllokim reformash, atë që duhet të angazhohen palët është që të vazhdojë reforma në drejtësi, zbatimi i reformës. Vettingu që u miratua do të japi efekt që të pastrohet gjyqësori, të rritet autoriteti i gjyqësorit dhe ai të ketë fuqinë që të ndëshkojë korrupsionin dhe aferat?
Po të bëhen bashkë, njëra palë do të mbrojë të vetët dhe tjetra të vetët dhe ndëshkueshmëria nuk do të funksionojë. Në 2013 u justifikuan që për të hequr Berishën na duhet LSI-ja. Tani meqë e keqja e vogël na u bë më e madhe, hajde të marrim PD-në. Kjo nuk mund të ndodhë. Ai gabim që është bërë nga PS-ja në dëm të aleatëve të vet nuk duhet të vazhdojë më.
Hila: Po një qeveri PS-LSI do ta votoni?
Gjinushi: Absolutisht jo! Përplasja nuk ka qenë individuale, por platformash. Po të kesh diferenca në platformë. Po të thuash që t’i je i lidhur me narkotrafikun siç thoshte Lul Basha, të nesërmen nuk mund të gdhihesh bashkë me të.
Kreu i Partisë Social Demokrate tha se Ilir Meta praktikisht mund të japë dorëheqjen nga posti i Presidenti dhe de fakto e ka bërë këtë.
“De fakto ilir Meta ka dhënë dorëheqjen nga Presidenti. Në fillim tha se do të rrijë derisa të bëhet betimi dhe pastaj e kapi situatën dhe tha që nesër unë largohem. Presidenti i Republikës është në konflikt të plotë të interesit që të dalë në krye të një partie politike në fushatë zgjedhore. Dhe për më tepër të kërcënojë me mandatin e Presidenti. Ky është shpërdorimi më i madh që mund t’i bësh Presidentit të Republikës. Unë mendoj që Meta e ka në mend të japë dorëheqjen. Ka zgjedhur t’i rikthehet LSI-së” – tha Gjinushi.