Familja Boçi ka fituar me 12 vendime gjykate pronën e trashëguar që prej vitit 1938, por Përmbarimi nuk ekzekuton vendimin. Sipas këtij të fundit, nuk ekzistojnë mjetet për të prishur një shtëpi, e cila është ndërtuar nga personi që i ka zënë tokën familjes Boçi, që prej vitit 1997.
Bukurie Boçi i është drejtuar emisionit “Fiks Fare”, pasi nuk ka gjetur zgjidhje nga institucionet.
“Në pronën time ka ndërtuar shtëpinë e tij Genci Gjoka, që prej vitit 1997. Ja ku i kam edhe 12 vendimet e gjykatës, që më njohin mua si pronare që prej vitit 1938. Çështjen e kemi fituar edhe në Gjykatën e Lartë dhe Përmbarimi nuk ekzekuton vendimin. Është kulmi të kesh pronën tënde, e të mos e gëzosh dot”, shprehet ajo.
“Fiks Fare”, së bashku me familjen Boçi i janë drejtuar Zyrës Përmbarimore në Lushnje. Ish-përmbaruesi i zyrës, asokohe në detyrë, Marsel Hasimllari, pas debatit me pronarët e tokës u kërkoi këtyre të fundit të paguajnë shpenzimet përmbarimore, pasi zyra nuk kishte mjetet për të ekzekutuar vendimin e gjykatës.
“Vendimet nuk janë ekzekutuar pasi s’ka mjete. U kam kërkuar qytetarëve t’i sigurojnë vet dhe të ekzekutohet më pas vendimi”, thotë Hasimllari.
Familja Boçi, në debat me këtë të fundit tha se, edhe pse disa herë i kanë gjetur vet mjetet, sërish vendimi i gjykatës nuk është ekzekutuar.
Përmbaruesi, në anën tjetër, u kundërpërgjigj duke thënë se fadroma e marrë nga qytetarët pësoi defekt në vendngjarje, ndaj dhe ekzekutimi nuk u krye.
“Fiks Fare” i është drejtuar edhe Bashkisë së Lushnjes, si dhe Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, Dega Lushnje, por edhe këta të fundit thonë se nuk kanë mjete për të ndihmuar Zyrën Përmbarimore.
Një muaj më pas, ndërsa ekzekutimi i vendimit vazhdon të mbetet pezull, në Zyrën Përmbarimore të Lushnjes vjen një tjetër drejtues, Taulant Brahamaj. Ky i fundit, në një intervistë për “Fiks Fare” thotë se i është drejtuar Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, por ky i fundit nuk ka reaguar për të ndihmuar me mjete.
Ndodhur në të tilla rrethana, kur institucionet nuk gjejnë zgjidhje, “Fiks Fare” iu drejtua Ministrisë së Drejtësisë, si organi që ka për detyrë të kontrollojë sistemin e ekzekutimeve të vendimeve civile dhe të titujve ekzekutiv.
Në përgjigjen zyrtare që morëm nga ky institucion thuhet se, Ministria e çoi kërkesën për verifikim në Drejtorinë e Përgjithshme të Përmbarimit. Kjo e fundit, në kushtet kur nuk ofrohet mbështetje nga IKMT Tiranë dhe IMT e Bashkisë Lushnje, sugjeron si zgjidhje parapagimin e shpenzimeve përmbarimore nga familja Boçi.
Pra, që pronarët të marrin pronën që iu takon me vendim gjykate, duhet t’i sigurojnë Përmbarimit mjetet e duhura për të bërë ekzekutimin e vendimit.