Nga Ben Andoni
Tranzicioni i pafundmë shqiptar ka pohuar se vështirësia më e madhe në vend (në fakt një nga ato), është krijimi dhe respektimi i standarteve. Më të prekshme në këto ditë janë ato që lidhen me parametrat e zgjedhjeve. Është fakt që në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017 mungon ashpërsia ekstreme ndaj kundërshtarit, kërcënimet e dukshme, porse sërish standardet zgjedhore që pretendohen, janë larg atyre të pritshmeve. Është sërish e mobilizuar në mënyrë të parregullt një makineri e tërë njerëzore dhe logjistike nga tre forcat kryesore, është sërish prezente dhuna verbale ndaj punonjësve të administratës, para-blerja e votës, teksa më zhgënjyese nga forcat kryesore politike në vend është fakti se punuan shumë pak ose aspak, gjatë gjithë legjislaturws parlamentare për reformimin e Kodit zgjedhor në vend.
Ndërkohë që retorikat e Ramës, Bashës dhe përballë tyre presidentit të ri në ardhje, Metës, që po shërben edhe si tabelë qitje nga dy partitë kryesore, mundohet të anashkalojë hapur problematikën e vendit, duke i faturuar tjetërkund të gjithë mossukseset e vendit.
Është një realitet i pamohueshëm se dy partitë kryesore në vend, që janë mbajtur me patericën e LSI-së, kurrë nuk arritën të krijonin një model zhvillimi për vendin. Për shkak të ndarjeve skajore deri më tani, vendit i mungon një model ekonomik i mirëpranuar, teksa Shqipëria sot po përjeton një zhvillim kaotik dhe aspak shpresëdhënës. Paçka ndryshimeve pozitive të pamohueshme, që kanë ndodhur në vitet e fundit, e megjithë tam-tamet e Berishës dhe këto katër vjet të Ramës nuk është ulur trendi i ikjes së shqiptarëve apo të zbutet problemi demografik i rënies së madhe të popullsisë.
Sa i përket procesit zgjedhor, Shqipëria edhe në këtë legjislacion, nuk arriti të sigurojë votën e emigrantëve ashtu si edhe nuk e reformoi dot sistemin e numërimit dhe vetë komisionet zgjedhore. Në vend të këtyre, energjia e liderëve ka shkuar për të gënjyer për alternativat e reja të partive kryesore në vend.
“Në fakt, në këtë fushatë elektorale, ashtu si në të shkuarën, qytetarët po dëgjojnë nga politikanët e të gjitha partive atë që presin prej tyre. Të gjithë politikanët gënjejnë; çështja është kush gënjen më pak dhe kush më shumë. Ata u premtojnë qytetarëve ato që këta të fundit duan të dëgjojnë. Po nuk premtove, nuk zgjidhesh. Por premtimet shumë herë janë të tilla, që nuk përmbushen dhe premtimet e papërmbushura janë gënjeshtra”, shprehet profesor Fatos Tarifa.
Situata ku ndodhemi po bëhet disi edhe paradoksale dhe e paparashikuar sepse dy liderët e partive të mëdha jo vetëm nuk po e atakojnë më ashpër njëri-tjetrin, porse vazhdimisht gjejnë mundësi t’i bëjnë korte nga larg.
Si ka ndodhur edhe më parë, partitë politike shqiptare janë subjektet më të para që si përfillin standartet zgjedhore, që sërish dhunojnë verbalisht gjykimin e votuesit me anë të premtimeve por edhe kërcënimeve indirekte.
E më shqetësuesja për publikun shqiptar, tejet i dhënë nga gjykimi i aktorëve të huaj, ka të bëjë edhe me reagimin e strukturave të huaja atashuara në vend, që janë më të interesuara, që rezultati zgjedhor të pranohet sesa të respektohen standardet demokratike të zgjedhjes, që nga parashikimi i këtyre votimeve sërish po lë shumë për të dëshiruar.
Publiku gjithsesi beson e pret që standartet do të arrihen kur të arrihet të dënohen e të ndëshkohen penalisht ata të cilët që tani po e shkelin barazinë e zgjedhjes, apo ata që do e dekonspirojnë votën e fshehtë e të lirë. Humbja e besimit ndaj institucionit të vendit tënd përkthehet në humbje besimi të atij që do të drejtojë më vonë. “Në fund te fundit, një popull që ka humbur besimin te institucionet e vendit të tij nuk mund t’u besojë politikanëve që kërkojnë të vijnë në krye të këtyre institucioneve, edhe pse votojnë për ta. Ç’mundësi tjetër do kenë? A nuk thoshte Churchill se demokracia është një forme e keqe qeverisjeje, por ama është më e mira e provuar deri më sot?”, shprehet prof.Tarifa. Por, sa bën. Retorika e Ramës, Bashës dhe Metës, as nuk i përmend më standardet, përveçse fjalëve, tepsi, sahan dhe timon. (Javanews)