Monedha e përbashkët europiane ka vijuar të zhvlerësohet duke shënuar një tjetër nivel rekord të ulët, duke u këmbyer sot me 133.42 lekë.
Euro në vend ka hyrë në trajektoren rënëse që prej 19 majit, por sot monedha e përbashkët është nënçmuar përkundrejt dollarit edhe në tregjet ndërkombëtare. Në bursë, 1 EUR këmbehej me 1.116 USD, duke shënuar një rënie prej 0.46 pikë përqindje krahasuar me një ditë më parë.
Monedha e gjelbër është forcuar duke reflektuar kështu rritjen e besimit tek investitorët pas vendimit të Rezervës Federale për të rritur normën bazë edhe me një pikë tjetër. Kreu i FED, Janet Yellen, dhe kolegët e saj kanë rritur objektivin e synuar për normën e fondeve federale me 0.25 pikë bazë, duke synuar një normë prej 1 deri në 1.25 për qind të mërkurën.
Dollari është forcuar edhe në vend, por pa mundur të kapërcejë nivelin e 120 lekëve. Sot 1USD këmbehet në vend me 119.36 lekë, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë.
Që pas vitit 2009, euro u rrit me shpejtësi në tregun vendas, nga rreth 132 lekë, ajo arriti një nivel prej 139-140 lekë për gati 8 vjet radhazi, teksa në gjysmën e dytë të vitit 2016, euro filloi të zhvlerësohej, në mesatarisht 137 lekë, tendencë që e vazhdoi me shpejtësi edhe në muajt e parë të këtij viti, duke zbritur në afër 133 lekë aktualisht. Me afrimin e verës tendenca sezonale e zhvlerësimit pritet të vijojë, e ndihmuar dhe nga hyrjet nga turizmi, teksa numri i turistëve këtë vit pritet të arrijë rekord./monitor/a.m.