Lëvizja Socialiste për Integrim ngriti shqetësim në adresë të zëvendëskryeministres Ledina Mandija, si drejtuese e Task-Forcës në lidhje me kallëzimin e bërë ndaj administratorit të njësisë nr.2 në Tiranë, Elez Gjoza.
Sipas LSI kallëzimi i bërë në organin e prokurorisë nga Policia e Shtetit në ngarkim të Elez Gjoza është bërë pa kryer një vlerësim të thelluar të rrethanave të faktit, për cenimin e figurës të Gjoza dhe me qëllim pengimin e fushatës zgjedhore të LSI.
Për këtë qëllim zv/Kryeministrja Ledina Mandija ka kërkuar menjëherë që kjo çështje të futet për diskutimin në rendin e ditës në mbledhjen e ardhshme të Task-Forcës.
Mandija i ka kërkuar prej disa ditësh informacion urgjent Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako për procedurën e ndjekur dhe veprimet e kryera nga Policia e Shtetit për verifikimin e rastit në fjalë si dhe kopje të plotë të kallëzimit drejtuar organit të prokurorisë të shoqëruar me provat apo materialin shoqërues.
Zv/Kryeministrja Mandija thekson edhe njëherë se Task Forca përmes rolit të saj koordinues nxit paanshmërinë dhe trajtimin e barabartë të kandidatëve e partive politike në marrëdhëniet me administratën shtetërore, për krijimin e kushteve të drejta e të barabarta për të gjithë kandidatët dhe partitë politike në procesin elektoral./b.d