Zyra e shtypit e zv/Kryeministres Ledina Mandija deklaroi disa ditë më parë se nuk ka asnjë pengesë nga ministrat teknik për angazhimin e punonjësve të administratës si komisionerë në nivele të ndryshme të administrimit në zgjedhje. Madje asnjë ministër nuk ka dhëne urdhër për të penguar angazhimin e këtyre personave si Komisionerë në KZAZ.
Njësia Task-Forcës sqaron edhe një herë se në bazë të pikës 5, të VKM nr. 473, datë 01.06.2017 “Për marrjen e masave dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë”, punonjësi i administratës shtetërore ka të drejtë të angazhohet si komisionerë zgjedhor, në përbërje të KZAZ-ve, KQV-ve dhe GNV-ve, pasi të ketë njoftuar paraprakisht me shkrim eprorin direkt dhe njësinë e personelit për këtë veprimtari dhe të ketë marrë lejen me shkrim nga eprori direkt.
Kabineti i zëvendëskryeministres, nisur nga deklarimet e përsëritura në media, si dhe shqetësimet e ngritura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 12 qershor 2017 ka ripërsëritur kërkesën për të gjitha ministritë, bashkitë dhe prefekturat ku kërkon të dijë: Numrin e kërkesave për tu angazhuar si komisionerë pranë KZAZ, KQV dhe GNV-të ; numrin e kërkesave të miratuara/lejeve të dhëna për tu angazhuar dhe data e miratimit të tyre si dhe numrin e kërkesave të refuzuara, data e refuzimit dhe arsyet e refuzimit.
Zv/Kryeministrja Mandija përsërit thirrjen e bërë më parë për të gjithë titullarët e institucioneve dhe drejtuesve të administratës të mos paraqesin pengesa për punonjësit, të cilët janë të angazhuar si komisionerë zgjedhorë.
ma.me