Një adoleshente është ngacmuar seksualisht nga fqinji 40- vjeçar në sy të babait të saj dhe motrës së vogël.
Ngjarja e pazakontë ka ndodhur në dhjetor të vitit të kaluar, në një banesë pranë një shkolle te mesme profesionale në Tiranë, ku banon familja e 14-vjeçares së dëmtuar.
Pasi u kallëzua në polici dhe hetimit të rastit, Lulzim B., i akuzuar si autor i ngjarjes, u dërgua në gjyq për “ngacmim seksual”. Javën e kaluar, Gjykata e Tiranës përfundoi gjykimin ndaj tij.
Gjatë procesit i pandehuri pranoi akuzën dhe shfaqi pendesë për veprimet e kryera, si dhe kërkoi mëshirë nga trupi gjykues. Referuar vendimit të gjykatës, një kopje e të cilit zotërohet nga “Panorama”, Lulzim B. u shpall fajtor dhe u dënua me 1 vit e 4 muaj burg.
NGACMIMI
Mbrëmjen e ngjarjes, në pallatin ku jetonte 14-vjeçarja, nuk ka pasur energji elektrike. Në një kohë që banesa po ndriçohej me qiri, aty ka shkuar për një vizitë miqësore i pandehuri. Referuar kallëzimit të minorenes dhe babait të saj, i pandehuri Lulzim B. është ulur pranë të miturës.
Duke shfrytëzuar ndriçimin e dobët të ambientit, teksa shkëmbente biseda me babain e saj, i pandehuri ka prekur të miturën në vende intime. “Në këto rrethana, i pandehuri ndërsa fliste me të atin e saj, kryente me kallëzuesen sjellje dhe veprime me natyrë seksuale”, thuhej në vendimin e gjykatës.
Ndodhur në këtë gjendje, e dëmtuara ka tentuar të pengojë të pandehurin në sjelljet e tij, veprimet e të pandehurit janë pikasur nga motra e saj, e cila ka “dhënë alarmin” dhe më pas edhe nga babai.
Ky i fundit, i befasuar dhe i tronditur nga sjellja e të pandehurit, është konfliktuar fizikisht me të duke e goditur dhe nxjerrë nga banesa, si dhe duke shkuar me të bijën për depozitimin e një kallëzimi ndaj tij.
DESHMITE
Gjykata ka administruar si provë në proces deklarimet e të dëmtuarës, babait dhe motrës së saj. Përveç kallëzimit të ngjarjes për të cilën u fajësua i pandehuri, në prani të psikologes, 14-vjeçarja ka pohuar se Lulzim B. edhe në raste të tjera ka shfaqur ndaj saj sjellje të tilla me natyrë seksuale, denigruese dhe poshtëruese ndaj saj, por që ajo ka pasur turp t’ua tregojë prindërve të saj./Panorama/a.m.