Ish-lideri politik i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, i ka kërkuar Gjykatës së Hagës të instalojë “Skype” që ai të mund të komunikojë me familjen e tij gjatë kohës që ai është në njësinë e paraburgimit të Gjykatës së OKB-së.
Karaxhiqi paraqiti kërkesën e tij të parë që të lejohej të komunikonte me familjen e tij nëpërmjet “Skype” në pranverën e këtij viti, por kryesekretari e hodhi poshtë kërkesën e tij, duke thënë se aplikacioni i komunikimit me video nuk ishte mjaft i sigurt.
Ish-kryetari i serbëve të Bosnjës më pas e apeloi vendimin.
Zyra e Kryesekretarit tha se po shqyrtonte mundësi të ndryshme për një sistem të sigurt të komunikimeve me video dhe se kishte organizuar takime me Qeverinë norvegjeze, e cila kishte një program për transmetimin e gjyqeve dhe Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, i cili kishte një sistem komunikimi për të ndaluarit.
Meron i dha kryesekretarit afat deri më 12 gusht për të kryer kontrollet dhe për t’i dhënë atij informacionet e nevojshme për të marrë një vendim mbi kërkesën e Karaxhiqit.
Meron tha megjithatë se në parim, ai mendon se “Skype” duhet t’i vihet në dispozicion të burgosurve në Hagë.
Në mars të vitit të kaluar, Gjykata e Hagës e dënoi Karaxhiqin me 40 vjet burg pasi e shpalli atë fajtor për gjenocidin në Srebrenicë, persekutimin e myslimanëve dhe kroatëve në të gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën, terrorizim të popullsisë së Sarajevës dhe pengmarrje të paqeruajtësve të OKB-së.
Megjithatë, ai u lirua nga akuzat për gjenocid të kryer në disa komuna boshnjake më 1992.
Karaxhiq më pas apeloi në Mekanizmin për Gjykatat Penale Ndërkombëtare, i cili u krijua për të përfunduar punën e Gjykatës së Hagës pasi ajo të mbyllet në fund të vitit 2017.
Prokuroria e Hagës paraqiti gjithashtu një apel, duke kërkuar që Karaxhiq të shpallet fajtor për gjenocid në vitin 1992.
Vendimi i shkallës së dytë pritet të jepet vitin e ardhshëm.
a.ç