“Misioni i LSI-së ka mbaruar bashkë me lojën ‘i treti i vërteti’”. Kjo ishte porosia e qartë që Edi Rama u ka dhënë bashkëpunëtorëve të tij në qarqe. Dy javë para datës së zgjedhjeve, kryesocialisti Rama ka dhënë porositë e tij në lidhje me këtë fazë të fushatës, veçanërisht për marrëdhënien me aleatin e tij në qeverisje, Ilir Metën, shkruan “Panorama”.
Burime nga drejtuesit politikë të PS-së në qarqe thanë se Rama se u ka thënë atyre se nuk është problem i socialistëve nëse Ilir Meta apo krerët e tjerë të partive të vogla e marrin këtë si luftë politike, apo personale ndaj tyre, dhe sipas tij socialistët nuk duhet të bien në batakun e fushatës së tyre të mbushur me mllef e kërcënime, pasi misioni i LSI-së ka mbaruar bashkë me lojën “i treti i vërteti”.
Drejtuesit politikë në qarqe kanë kërkuar shpjegime mbi deklaratën e bërë në komunikimin javor dhe mësohet se Rama e ka nënvizuar edhe më fort këtë tezë, duke argumentuar se nënshtrimi i mëtejshëm ndaj logjikës së copëtimit të administratës me LSI-në apo të tjerë, në dëm të projektit të shtetbërjes, për hir të numrave në parlament, është i papranueshëm për të.
Duke marrë edhe opinionet që vijnë nga çdo qark, nga kontaktet që kandidatët marrin me qytetarët, në komunikimin e së dielës në mbrëmje është thënë si nga Rama, ashtu dhe nga krerët e qarqeve se koalicioni me LSI-në është tanimë kapitull i mbyllur dhe disa prej tyre kanë kërkuar që kjo të thuhet hapur.
Gjatë bashkëbisedimit me bashkëpunëtorët e tij në krye të listave të kandidatëve, kryesocialisti ka ballafaquar të dhënat e sondazheve që PSja zhvillon çdo javë dhe raportimeve që jepnin drejtuesit politikë në çdo qark.
Në këndvështrimin e Ramës, pastrimi i zyrave të shërbimit për qytetarë nga të emëruarit e partive në hipoteka, patenta, inspektorate, është po aq jetik për shkatërrimin e korrupsionit, sa edhe pastrimi i Pallatit të Drejtësisë nga gjykatësit e korruptuar./a.m.
SMS e Ramës:
Ju lutem nuk duhet të kemi më lajme për LSI-në!
E sotmja ishte një ditë per t’u dhënë të gjithëve mesazhin se LSI nuk ka më shanse të bëjë të tretin të vërtetin, në mënyrë që ju të gjithë ta përdorni këtë në fushatën mikro, me organizim kapilar për të kthyer njerëzit që rrinë me LSI për interes jo për bindje!
Në makro, pra në komunikimin publik duhet të fokusohemi tek mesazhi ynë dhe për reformën e administratës të themi, ne duam të bëjmë dhe duam të kemi mundësinë të zgjedhim më të mirët!
Kaq dhe fokusin tek vetingu, ekonomia, punësimi e me radhë në mesazhin tonë… Forca!