Lideri i opozitës në Rusi, Alexei Navalny është dënuar me 30 ditë arrest për shkelje të vazhdueshme të ligjit për mbajtjen e mitingjeve.
Navalni u arrestua një ditë më parë në banesën e tij në Moskë, në prag të mbajtjes së një proteste kundër korrupsionit.
Trupi gjykues që mori vendimin e shpalli atë në orët e vona të së hënës, duke hedhur poshtë kërkesën e avokatit mbrojtës për lirimin e tij.
Opozitari 41-vjeçar e konfirmoi më vonë sa ndodhi përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Twitter.
Navalny, i cili ka ndërmend të garojë për presidencën ruse vitin e ardhshëm, do të mbante një fjalim në mitingun, që sipas autoriteteve, ishte i paautorizuar.
Qindra persona u ndaluan gjithashtu në tubime të organizuara në mbarë vendin. OVD-Info, një OJQ e pavarur, deklaroi se 825 vetë ishin ndaluar nga policia vetëm në Moskë dhe qindra të tjerë në Shën Pietërburg.
Ministria e Brendshme ruse sqaroi se 5 mijë vetë morën pjesë në tubimin në Moskë dhe 3.500 në qytetin në veri-perëndim të Rusisë, ku 500 vetë u ndaluan.
a.ç