Gianluiggi Buffon në një intervistë për “Sky Sport” ka deklaruar se sezoni i ardhshëm me 99% do të jetë i fundit në karrierën e gjatë futbollistike. Por për ikonën e Juventusit, ekziston një mundësi për të zgjatur marrëveshjen me “zonjën e vjetër” edhe pas Botërorit “Rusi 2018” dhe ajo është fitimi i “Champions League”.
“Në momentin që flasim, me 99,99% më mbetet edhe një vit si futbollist, duhet të përqendrohem te kjo. Me presidentin e Juventusit ka një pakt sipas të cilit, nëse do të ndodhte diçka e rëndësishme, do të zgjatnim edhe një vit tjetër këtë marrëveshje.
Nëse do të fitonim Ligën e Kampioneve për shembull, mund të mendonim të vazhdonim edhe për një vit tjetër që të mundohemi të fitojmë edhe dy turnetë që e ndjekin (Superkupa e Europës dhe Botërori i Klubeve).
Përndryshe do të ishte shumë e thjeshtë që ta fitoja këtë vit. Po pastaj? Në të ardhmen do të duhet një periudhë shkëputje, pastaj do të shoh se cilën rrugë do të ndërmarr dhe arsyen për të cilën duhet të zgjohem në mëngjes”, deklaroi portieri italian.
ma.me