Koalicioni PDK-AAK-Nisma, sipas rezultateve preliminare, mund t’i ketë 39 deputetë në legjislaturën e re të Kuvendit të Kosovës. VV 31, ndërsa LDK-AKR një deputet më pak – 30. Lista Srpska ka siguruar pothuajse shumicën absolute të ulëseve për serbët në Kuvend.
Koalicioni fitues i zgjedhjeve të 11 qershorit, PDK-AAK-Nisma, në bazë të rezultateve preliminare të KQZ-së, ka siguruar 39 ulëse për deputetë në Kuvend të Kosovës.
Tetë deputetë më pak, 31 ulëse, llogaritet t’i ketë Lëvizja Vetëvendosje, e cila në votimet e djeshme doli e dyta, shkruan Gazeta Express.
Vetëvendosje, në krahasim me legjislaturën e fundit, të shpërberë, të Kuvendit ka dyfishuar mandatet në Parlament, gjë që shtyu partinë e Albin Kurtit të festojë si fitore natën e kaluar në shesh.
LDK-ja në koalicion me AKR-në, të dalë si koalicioni i tretë në zgjedhjet e 11 qershorit llogaritet t’i ketë 30 deputetë, tre më pak sesa kjo parti kishte e vetme, pa AKR-në që në 2014-n nuk kishte kaluar pragun zgjedhor.
Ky kalkulim i ndarjes së deputetëve është bërë sipas metodës ‘Sainte-Lague’ për llogaritjen e mandateve në Kuvend, shkruan Gazeta Express.
Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, pothuajse të llogaritura të dhënat e votave të rregullta në të gjitha vendvotimet në Kosovë, PDK-AAK-Nisma kanë 34,15 për qind të votave, VV 27,0 për qind, ndërsa LDK-AKR 25,78 për qind të votave.
Në bazë të këtyre rezultateve dhe kalkulimeve për ulëse për deputetë, Lista Srpska ka fituar 8 vende për deputetët serbë, ndërsa SLS dhe partia e Aleksandar Jabllanovicit nga një vend.
KDTP nga votuesit e saj ka rezervuar 3 ulëse, VAKAT 2, ndërsa pesë parti tjera të komuniteteve tjera që jetojnë në Kosovë, nga vetëm një mandat./a.m.