Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë përfunduan me renditjen në vend të parë të koalicionit të luftës. Surpriza ishte renditja e Lëvizjes Vetëvendosje në vendin e dytë, ndërsa në vend të tretë është LDK.
Megjithatë, asnjë nga grupimet nuk ka shumicën për të krijuar qeverinë. Me daljen e rezultateve të para nisën të festojnë si kosovarët, ashtu edhe serbët.
“Formimi i qeverisë do të bëhet në përputhje me detyrimet kushtetuese, me mandatin kushtetues. Por nuk shohim vështirësi sa i përket formimit të saj. Ne jemi në punë e sipër që kjo të ndodhë brenda afatit të duhur kohor. Axhenda e Kosovës nuk do të mbahet peng nga askush, përfshi këtu edhe Beogradin, e jo më prej Listës Serbe. Ne jemi një brez që kemi qenë në gjendje për çdo sakrificë për atdheun, ndaj jemi të vendosur t’i kryejmë punët e Kosovës. Por do të punojmë me komunitetet joserbe dhe serbe, gjithsesi jo duke e lënë Kosovën të jetë peng i votës penguese”, deklaroi kandidati për kryeministër, Ramush Haradinaj, nga koalicioni PDK-AAK-Nisma.
Sa i përket numërimit të votave dhe punës së KQZ-së në lidhje me certifikimin e rezultatit, në lidhje të drejtpërdrejtë me edicionin e lajmeve, për korrespondentin Idro Seferi foli edhe zëdhënësi i këtij institucioni në Kosovë, Valmir Elezi.
“Dita e zgjedhjeve ka shkuar jashtëzakonisht mirë, e në bazë të vlerësimeve që kemi marrë nga vëzhguesit vendas dhe ata ndërkombëtarë, por edhe nga mediet, ky proces ka qenë i organizuar mirë nga ana e KQZ-së. Numërimi tashmë ka përfunduar, ndërsa ajo që ndodh më tej është numërimi i votave me kusht, atyre me postë, dhe votat e personave me nevoja të veçanta. Gjithsesi, ky numër votash nuk është edhe aq i madh dhe nuk do të marrin shumë kohë. Sa i përket rezultateve paraprake, tashmë janë shfaqur në faqen zyrtare të KQZ-së dhe kanë mbetur vetëm pak vendvotime për t’u pasqyruar”, deklaroi ndër të tjera Valmir Elezi.
I pyetur mbi kohën e votave të kandidatëve për deputetë, si dhe mbi certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve, nëse priten apo jo ndryshime, ai shtoi:
“Rezultati përfundimtar varet edhe nga procedurat ligjore të përcaktuara në ligjin për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë. Pas përfundimit të numërimit është një afat 24 orë në dispozicion të panelit zgjedhor për ankesa dhe parashtrime, ku subjektet politike dhe kandidatët mund të paraqesin ankesat e tyre. Do të presim vendimin e këtij paneli, për të parë se çfarë duhet ndërmarrë më tej. Deri në rezultatin përfundimtar do të duhet të presim edhe numërimin e votave të përmendura më sipër. Por këto janë thjesht çështje që varen nga procedurat ligjore”, thotë Valmir Elezi.