Ministri teknik i Punëve të Brendshme i propozuar nga PD si pjesë e marrëveshjes së 18 majit Rama-Basha, Dritan Demiraj, priti në një takim ambasadorin dhe njëkohësisht kreun e misionit të vëzhguesve të OSBE-ODHIR Peter Tejler si dhe Zëvendës kreun e këtij Misioni, Polyna Lemos.
Demiraj informoi ambasadorin Tejler për planin e masave për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 25 qershorit, ku mbi 7.000 efektivë të Policisë së Shtetit janë trajnuar për detyrat konkrete gjatë procesit, dhe janë dhënë porosi të veçanta për tre drejtori vendore në nivel qarku, për neutralizimin e problematikave nga subjekte, individë dhe grupe kriminale.
Nga ana e tij, shefi i misionit të vëzhguesve të OSBE-ODHIR Peter Tejler prezantoi objektivat e punës së tij, rolin në procesin monitories dhe raportues të 250 vëzhguesve dhe ndau pikëpamje në lidhje me fenomenin e shit-blerjes së votës dhe potencialin për të ndikuar në votim përmes presioneve të ndryshme. Ai theksi se monitotimi në javën e fundit do të jetë më intensive dhe një ditë pas zgjedhjeve do të dalin me një raport paraprak.
Ministri Demiraj garantoi mbështetje të plotë për misionin vëzhgues të OSBE-ODHIR dhe vuri në dukje garantimin e një procesi zgjedhor të sigurtë, mos përfshirjen e Policisë në fushatë dhe diten e zgjedhjeve, si dhe neutralizimin e mundësisë së blerjes së votës nga burime te paqarta është prioriteti i tij i parë.
Demiraj informoi gjithashtu ambasadorin Tejler për sfidën e misionit të tij për shkak të situatës së krijuar gjatë viteve të fundit në Policinë e Shtetit dhe kontaminimit të një pjesë të trupës policore në mos veprim apo përfshirjen e kultivimit masiv të kanabisit gjatë vitit të kaluar.
a.ç