Djali i presidentit amerikan Donald Trump ka postuar rreth 80 statuse në Twitter për të mbrojtur të atin dhe për të sulmuar ish-drejtorin e FBI-së, James Comey, gjatë raportimit të tij në Senat lidhur me çështjen e njohur si “Russia-gate”.
Mediat ndërkombëtare e kanë komentuar këtë veprim të Donald Trump Jr një nismë nxitëse, agresive dhe njëkohësisht të përpiktë, ndoshta të orientuar nga Shtëpia e Bardhë, ose avokatët e presidentit.
Trump Jr, që me të vëllain Eric menaxhon aktivitetet ekonomike të familjes, ka qenë gjithmonë shumë aktiv në fushatën e të atit, aq sa është konsideruar një ndër përfaqësuesit më efikasë por edhe kontradiktorë të saj.
Sipas disa mediave, ai ka edhe ambicje politike, ndonëse është munduar ta fshehë. Më herët, në një intervistë për “Associated Press”, ai e kishte përjashtuar mundësinë që së shpejti të kandidonte si guvernator i Nju Jorkut, por gjithësesi i kishte lënë “dyert” të hapura.
“Ndoshta një ditë. Nuk është diçka që kam ndërmend ta bëj tani, por kurrë nuk i dihet. Është interesante”, kishte deklaruar Trump Jr./tch