Nëse Kryeministrja, Theresa May, e arriti apo jo qëllimin e saj nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare, kjo çështje me sa duket nuk problemi i Bashkimit Europian, teksa në deklaratat e tyre pas përmbylljes së procesit, liderët kryesorë të bllokut kanë listuar si prioritet hapjen e negociatave për të ashtuquajturën çështjen ‘Brexit’.
Në një prononcim për mediat gjatë konferencës për Mbrojtje dhe Siguri që u zhvillua në Pragë, Presidenti i Komisionit Europian, Zhan Klod Juncker, tha se pret që Londra zyrtare të ruajë vendosmërinë për të çelur diskutimet e daljes nga unioni.
“Unë shpresoj shumë se Britania do të qëndrojë gati për hapjen e negociatave. Për aq kohë sa pala tjetër nuk e ka problem, negociatat mund të nisin që nesër në 9:30 të mëngjesit. Ne presim vizitorë nga Londra dhe shpresoj që të mos kemi një tjetër vonesë në këtë proces.
Sa i përket negociatave, fillimisht ne duhet të biem dakord për divorcin dhe modalitetet e daljes, dhe më pas do të strukturojmë marrëdhënien që do të krijojmë më tej”, tha ai.
Nga ana tjetër, Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, preferoi një letër zyrtare për të përcjellë Kryeministres May qëndrimin e tij.Pas urimit për fitoren në zgjedhje, edhe Tusk mbajti të njëjtën linjë me Juncker, duke u shprehur se palët nuk kanë kohë për të humbur.
Disi më kritik është shfaqur në raport me lidershipin britanik, kryenegociatori i BE’së nga Parlamenti europian, Guy Verhofshtad.
Në një postim në rrjetin social tëitter, drejtuesi i Aleancës së Liberalëve dhe Demokratëve në PE, dhe padyshim një zë me mjaft influencë në këtë institucion, deklaroi se pas ish-kryeministrit Cameron, është Kryeministrja May ajo e cila i bëri negociatat më të vështira.
Pavarësisht gatishmërisë së BE për hapje të menjëhershme të diskutimeve, palët pritet të nisin procesin e dialogut pas 10 ditësh, përgatiti Express. (b.an)