Në vetëm dy javë të dekretimit të ministrave teknikë, rastet e pezullimeve nga puna të nëpunësve civilë dhe zyrtarëve të tjerë numërohen me dhjetra. Nën akuzë për pjesëmarrje në fushatë elektorale, punonjës të administratës shtetërore janë detyruar të largohen nga vendi i punës përmes urdhërave të lëshuar kryesisht nga ministrat e emëruar të opozitës pas marrëveshjes Rama-Basha.
Por vetëm pak ditë më parë, pas deklaratës së kryeministrit, edhe zëvendësja e tij pranoi se shkarkimet prekin vetëm personat që marrin pjesë në aktivitetet politike gjatë orarit të punës duke braktisur zyrën e shtetit.
Megjithatë, zv.Kryeministrja Ledina Mandija ritheksoi dje përmes një deklarate se edhe jashtë orarit zyrtar janë disa kategori që rrezikohen. Në thirrjen e saj drejtuar Bashkive dhe Prefekturave, Mandija citoi Neni 37 të Ligjit për Nëpunësin Civil.
Saktësisht, neni në fjalë shprehet në pikën 1 të tij se “Nëpunësi civil ka të drejtë të marrë pjesë në veprimtari politike jashtë orarit zyrtar. Nëpunësi civil nuk duhet të shprehë publikisht bindjet apo preferencat e tij politike”. Fraza e dytë krijon hamendësi, por edhe shkakton përplasje në interpretim nga secila palë. Ndërkohë që Pika 2 i ndalona kategorikisht nëpunësit e kategorive të larta të jenë qoftë edhe anëtarë të thjeshtë të partive politike.
Zv.Kryeministrja theksonte dje se në shprehjen publike të bindjeve politike, përfshihen edhe mbajtja e pankartave, parrullave apo mjeteve të tjera propagandistike (bluza dhe kapele të loguara etj). Duket se ky nen i heq të drejtën nëpunësit edhe të bashkëbisedojë me persona të tjerë në lidhje me situatën zgjedhore. Një rast i përplasjeve brenda të njëjtit institucion është ai i së premtes kur pas shkarkimit të Drejtoreshës së Drejtorisë Arsimore në Vlorë nga ana e ministres Mirela Karabina, Sekretari i Përgjithshëm i po kësaj ministrie ka mohuar lajmin në fjalë. Plarent Ndreca vuri në dukje se Ligji për Nëpunësin Civil, që u miratua me konsensus të gjerë politik, e mbron drejtoreshën e Vlorës.
Por çfarë po ndodh me shkarkimet nga puna që po përdoren si mjet për të trembur administratën publike, me qëllimin që për herë të parë në historinë e Shqipërisë të mos marrë pjesë në fushatë elektorale?
Në këto përpjekje për të mbrojtur zgjedhjet mungojnë provat dhe sqarimi i metodologjisë sesi është vërtetuar rasti. Deri më tani dhjetëra emra janë bërë publike duke i anatemuar në media si shkelës të ligjit, por në asnjë rast institucionet nuk kanë bërë transparencë me provat mbi të cilat kanë marrë vendimin.
Ndërkohë, nëpunësit janë kërcënuar edhe nëse bëjnë propagandë politike në internet përmes rrjeteve sociale. Por keto të fundit ligji nuk i ka parashikuar fare. (Ardit Rada / JavaNews)