Gjykata e Tiranës shpalli të pafajshëm mjekun ortoped, Gjergj Caushi, për të cilin Prokuroria kishte kërkuar dënimin me 1 vit burgim për akuzën e mjekimit të pakujdesshëm.
Sipas Prokurorisë, mjeku ortoped, gjatë një operacioni në këmbën e djathtë të një pacienti për vendosjen e një pllake metalike për ngjitjen e kockës, ka lënë brenda organizmit të pacientit një puno, e cila ishte thyer gjatë operacionit.
Ky trup i huaj ka sjellë më pas pasojë në shëndetin e pacientit, i cili ka patur dhimbje dhe infeksion dhe ishte detyruar të operohej sërish në një klinikë në Greqi. Tetë ekspertët që dëshmuan në këtë proces ishin të ndarë mbi përgjegjësinë ose jo të mjekut Caushi në këtë rast.
Sipas Prokurorisë, mjeku ka treguar vetëbesim të tepruar teksa ka neglizhuar ankesat e pacientit dhe faktin që kishte në kockë një trup të huaj. Por në fund gjyqtari i çështjes Lazer Sallaku vendosi të rrëzojë hetimet dhe konkluzionet e Prokurorisë, duke e shpallur të pafajshëm mjekun ortoped, Gjergj Caushi. Ky vendim pritet të ankimohet në Gjykatën e Apelit nga Prokuroria e Tiranës. /TCH/b.d