Bushati e ka me Tom Doshin kur thotë se vota për Partinë Socialiste nuk ka pse ngatërrohet me thirrje që vijnë nga individë partizash.
Ky i fundit një ditë më parë deklaroi se votat dhe mandatet që ai mund të fitojë në Shkodër do të jenë në mbështetje të Edi Ramës pas zgjedhjeve të 25 qershorit, gjë e cila është sqaruar sot me një deklaratë të pastër e të qartë të koordinatorit për Shkodrën Ditmir Bushati.
“Me datën 25 ka vetëm një zgjedhje për ne dhe ky është Edi Rama me Partinë Socialiste, numrin dy. Ne nuk kemi nevojë as për mik, as për kandidatë të tjerë që dalin lart e poshtë nëpër televizion që thotë na i jepni votat ne se edhe ne do të mbështesim Edi Ramën. Por po të ishte puna kështu nuk do të ishim në parti të ndryshme, do të ishim të gjithë në të njëjtën parti. Nuk kemi nevojë as për me dëgju’ parti të tjera që vijnë me forma të tjera me penetru’ edhe këtu, ne kemi parë në fund të ditës së çfarë kanë bërë. Bamirësit janë në fondacione bamirësie, kishat dhe xhamitë i ndërtojnë institucionet fetare. Unë kam përshtypjet se kjo zonë ka të drejtë për të zgjedhurit e tyre”, ka thënë Bushati në Vaun e Dejës.
Duke folur para banorëve të Kosmaçit, Bushati deklaroi se premtimi i tij si ministër dhe si i zgjedhur i Shkodrës për këtë zonë është ndërtimi i një pike grumbullimi që do t’i vijë në ndihmë fermerëve e tregtarëve.
“Ne do ta bëjmë të mundur këtë projekt, jo si shtet sepse shteti në ekonominë e tregut ka një rol tjetër, por bashkë me Markun, bashkë me sipërmarrës të tjerë me mbështetjen e shtetit do të bëjmë të mundur që pika e grumbullimit këtu në Kosmaç të ndërtohet dhe ky është zotimi im si ministër, si kryesues i listës së Shkodrës për Partinë Socialiste.”/a.ç