PERDITESIM-Policia e Durrësit ka dhënë peshën e saktë të kanabisit të sekuestruar në portin e Durrësit në një kamion me shofer maqedonas që transportonte kastravecë.
Bëhet fjalë për 705 kg kanabis. Policia thotë se u arrestua në flagrancë drejtuesi i kamionit, një shtetas maqedonas Kiril Filev 32 vjeç, si dhe u shpallën në kërkim tre persona të tjerë, ku për arsye hetimi policia nuk jep detaje.
Specialistët e Kufirit në Portin e Durrësit krijuan dyshime për kamionin që do të imbarkohej në tragetin e linjës Durrës-bari dhe për këtë arsye ai u kontrollua imtësisht në Skaner.
Në përfundim u konkludua se kamioni ishte i ngarkuar me kuti të mbushura me kastravecë dhe në mes të kastravecëve kishte qese të mbushura me lëndë narkotike, e cila sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Specialistët dhe grupi hetimor vijojnë punën për kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë rrjet kriminal – thotë Policia e Durrësit, ndërsa i arrestuari do të hetohet nga Prokuroria pranë Krimeve të Rënda Tiranë për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” në bashkëpunim, e mbetur në tentativë./a.ç
***
Policia Kufitare e Durrësit ka parandaluar trafikimin e një sasie prej rreth 1 tonësh kanabis. Efektivët e policisë sekuestruan gjatë mesnatës një kamion në të cilin ishte fshehur sasia e madhe e drogës.
Lënda narkotike ishte sistemuar mes arkave me fruta-perime. Sipas policisë, u arrestua ehe shoferi i kamionit, një shtetas maqedonas.
Aktualisht po punohet për identifikimin dhe arrestimin e të tjerë personave të përfshirë në linjën e trafikut./a.m.