Ish-ministri i Mbrojtjes, Sabit Brokaj, paralajmëron se reforma në drejtësi pas zgjedhjeve do godasë zyrtarët e lartë të korruptuar dhe të lidhur me krimin.
Sabit Brokaj deklaron se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do ta lënë vendin në dorë të mafies, kështu që politikanët dhe zyrtarët e lartë që ndikojnë në stabilitetin e vendit do të preken nga reforma në drejtësi. Ish-ministri i Mbrojtjes thotë se reforma në drejtësi është bërë për “peshqit e mëdhenj”, pasi ata të “vegjlit” gjithmonë bien në rrjetë. Sabit Brokaj thekson se SHBA dhe BE i intereson stabiliteti i Shqipërisë, dhe kjo është arsyeja se përse ata janë investuar me reformën në drejtësi.
“Reforma në drejtësi do zbatohet. Kur bëhet fjalë për reformë, nuk bëhet fjalë thjesht për “peshqit e vegjël” sepse ata gjithmonë i ka zënë rrjeta. Por bëhet fjalë për ata që ndikojnë te politika dhe te stabiliteti i vendit. Angazhimi i amerikanëve dhe evropianëve është pikërisht për një vend për ta pasur gjeopolitkisht dhe gjeostrategjikisht stabël dhe jo në dorë të mafies. Përderisa ka synime të tilla, loja do bëhet në këto nivele”, paralajmëron Brokaj. Ish-ministri Brokaj thekson se reforma në drejtësi është projekt amerikan, dhe nuk mund të mendohet se do të pengohet.
“Është projekt amerikan. Sepse përputhet edhe me dëshirën e popullit. Reforma në drejtësi është bërë për të kapur peshqit e mëdhenj. Pa qëndresën rigoroze të ndërkombëtarëve, politika në Shqipëri mund të deformojë çdo lloj ligji dhe rezolute. Të gjithë kusarët dhe të korruptuarit përpiqen për të ndalur reformën; kusarët atë që vjedhin duan ta fshehin, atë që e zbulojnë duan ta eliminojnë”, tha ish-ministri i Mbrojtjes, Sabit Brokaj për “Sot”.
Largimet nga PD
Ish-ministri i Mbrojtjes, Sabit Brokaj, komenton edhe largimin e të vjetërve nga Partia Demokratike. Sabit Brokaj thotë se Lulzim Basha gaboi me largimin e të vjetërve, aq më tepër përpara zgjedhjeve. Ai shprehet se në listën e të larguarve ka individë që mbartin vlera për PD, dhe kjo lëvizje e Bashës dobëson PD përpara zgjedhjeve parlamentare. Brokaj apelon se nga PD duhet të ishin larguar ata individë që janë implikuar në krime dhe në punë jo të mira, e jo individë që kanë vlera.
“Partitë si çdo qenie i nënshtrohen ndryshimeve, por mençuria e drejtuesve politikë është që të ruajnë figurat që përfaqësojnë identitetin dhe të pastrojnë ata që partia i ka mbi kurriz, si bartës të krimit dhe fenomeneve të këqija. E gjykoj që Luli apo Saliu kush e bëri këtë veprim, janë ngatërruar. Në ato lista ka edhe elementë, të cilët në identitetin e Partisë Demokratike mbartin vlera. Ndryshimet që bëhen në prag të fushatës, të cilat janë beteja, gjithnjë dobësojnë. Këtu vlen ajo thënia e famshme: nuk ndërrohet kali në mes të lumit!”, u shpreh ish-ministri i Mbrojtjes, Sabit Brokaj. /b.d