Presidenti amerikan Donald Trump, e mori në mbrojtje faktin që përdor kaq shpesh komentet në Twiter, duke thënë se kjo është mënyra e tij për të arritur tek publiku pa u filtruar fjalët e tij përmes mediave tradicionale të lajmeve.
Zoti Trump tha sot se “Mediat e rreme po përpiqen shumë që unë të mos përdor mediat sociale. Ata e urrejnë faktin që unë jam në gjendje të përcjell mesazhin e ndershëm dhe të pafiltruar”.
Në një tjetër postin në Twitter ai tha: “Më falni, por po të isha mbështetur tek lajmet e rreme të CNN-it, NBC-së, ABC-së, CBS-it, Uashington Postit dhe Nju Jork Times-it, nuk do të kisha pasur asnjë shans të fitoja Shtëpinë e Bardhë”.
Në fakt nuk janë gazetarët që mbulojnë Shtëpinë e Bardhë ata që kritikojnë përdorimin e medias sociale nga Presidenti, por disa ndihmës dhe anëtarë republikanë të Kongresit kanë sugjeruar shpesh se zoti Trump duhet të reduktojë postimet e tij për çdo gjë që i shkon ndër mend në moment, gjë që ai e bën në çdo orë të ditës. Disa nga ndihmësit e zotit Trump janë pyetur me këmbëngulje që të shpjegojnë se ç’donte të thoshte ai në disa nga postimet në Twitter.
Në serinë e fundit të komenteve të tij në Twitter këtë javë, presidenti Trump citoi gabim kryetarin mysliman të Bashkisë së Londrës dhe më pas e sulmoi për masat pas sulmeve në kryeqytetin britanik, kritikoi Departamentin e Drejtësisë, që është pjesë e kabinetit të tij për hartimin e një versioni të “zbutur” të ndalimit të udhëtimeve që zoti Trump nënshkroi kur urdhri i tij i parë u kundërshtua në gjykatë, dhe sulmoi gjykatat amerikane si “të ngadalta dhe politike”.
Mbrojtja që i bëri Presidenti Trump përdorimit të Twitter-it erdhi një ditë pasi një nga këshilltarët e tij, Kellyanne Conway, kritikoi median amerikane se ishte e fiksuar të mbulonte çdo gjë që ai thoshte në Twitter dhe jo se çfarë bën ai si president.
Sebastian Gorka, një zyrtar i lartë për Sigurinë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, u përpoq që mos u jepte shumë rëndësi komenteve të zotit Trump në Twitter.
“Ato nuk janë politikë. Është thjesht media sociale”, i tha ai CNN-it.
Komentet e zotit Trump në Twitter për ndalimin e tij të udhëtimit mund të luajnë rol ndërsa administrata e tij apelon vendimet e gjykatave të shkallëve më të ulëta në Gjykatën e Lartë.
Por zoti Trump nuk duket se po zmbrapset nga kritikët e komenteve të tij në Twitter.
Vitin e kaluar para se të zgjidhej president, zoti Trump iu drejtua pjesëmarrësve në një tubim.
“E dini se cilët thonë ‘Mos përdor Twitter?’. Armiqtë tuaj”. /voa