Duke folur nga studio e emisionit “Debati ne Channel One”, te gazetarit Roland Qafoku, Presidenti i ardhshem i vendit Ilir Meta ne pergjigje te pyetjes se cfarë ka ndodhur mes tij dhe kryeministrit Edi Rama, ka bere nje deklarate te forte, kur tha se Rama arriti te manipulonte shume nderkombetare ne lidhje me reformen ne drejtesi…
“Arriti të manipulonte shumë për shkak të paaftësisë të opozitës, e cila nuk ishte shumë koherente, e para. E dyta, edhe kur kishte të drejtë, për shkak të shumë gabimeve në menaxhimin edhe të inkoherencës së saj nuk arriti dot të mbronte drejtësinë e pozicionit të saj. Natyrisht, të gjithë e dinë shumë mirë që pengesa për të miratuar një reformë të tillë, e cila nuk synonte vetëm kapjen e reformës së drejtësisë, por synonte edhe shpërbërjen e opozitës në Parlament, pasi dihet që shumë deputetë ishin nxitur, ishin përpunuar për të votuar këtë reformë, sepse këta donin drejtësi, këta të tjerët nuk donin drejtësi, për ta nxjerrë opozitën nga institucionet dhe për ta shpërbërë Partinë Demokratike”, tha Meta
Kreu i Kuvendit dhe Presidenti i zgjedhur Ilir Meta i është përgjigjur sot akuzave dhe sulmeve si nga PS ashtu edhe nga PD. Ai i ka dërguar edhe një mesazh të qartë kryeministrit Edi Rama se nëse Shqipëria do ketë dy parti, njëra do jetë LSI.
“Përgjigjja ime për z. Rama, meqenëse e ka me pasion këtë çështjen e dy partive, ku, në fakt, ai ka në mendje vetëm një parti, madje nuk ka në mendje asnjë parti, por vetëm një njeri, veten e tij, është kjo: në rast se Shqipëria do të ketë dy parti, një nga këto dy parti do të jetë pa asnjë diskutim LSI-ja dhe do të jetë partia më e madhe e shqiptarëve”, tha Meta. I pyetur për partinë e dytë Meta tha se mund të jetë një rilindje e përbashkët.
Rama ka deklaruar se Shqipërisë dhe politikës shqiptare i bën mirë që të ketë vetëm dy parti, cili është komenti juaj për këtë? Sistem amerikan…
Ndërsa këtu aktualisht, për fat të keq, nuk kemi të bëjmë me dy parti, por kemi të bëjmë me dy individë, të cilët i bëjnë listat sipas dëshirave të tyre, i fshijnë kontributet e njerëzve me vlera në partitë e tyre thjesht, sepse nuk u përshtaten apo për një mendim kritik që mund të kenë shprehur. Dhe, për fat të keq, këta dy individë ngjajnë si dy pika uji, po të shohim mënyrën se si është vepruar edhe me listat e kandidatëve që ata kanë paraqitur dhe kontestimin e gjerë të tyre brenda vetë partive.
Pra, nuk kemi të bëjmë me dy parti demokratike. Në qoftë se Shqipëria do të kishte dy Parti Demokratike dhe në qoftë se Partia Socialiste do të kishte qenë një Parti Demokratike e vërtetë, nuk do të ishte krijuar LSI-ja. Pse u krijua LSI-ja?! Sepse Ilir Meta, edhe pse i fitoi zgjedhjet, sepse zgjedhjet u fituan në emrin e Ilir Metës si kryeministër…
Kur ishit kryeministër?
Më pas u bë një kongres, ku në mënyrë tërësisht jodemokratike u hoq Ilir Meta, që kishte fituar zgjedhjet, por edhe shumë njerëz të tjerë në një proces manipulativ, në një proces skandaloz. Kështu që LSI-ja u krijua si një alternativë e re për shkak se nuk kishte demokraci, sepse, në qoftë se do të kishte demokraci, nuk kishte arsye që të krijohej LSI-ja. Përgjigjja ime për z. Rama, meqenëse e ka me pasion këtë çështjen e dy partive, ku, në fakt, ai ka në mendje vetëm një parti, madje nuk ka në mendje asnjë parti, por vetëm një njeri, veten e tij, është kjo: në rast se Shqipëria do të ketë dy parti, një nga këto dy parti do të jetë pa asnjë diskutim LSI-ja dhe do të jetë partia më e madhe e shqiptarëve.
Po partia tjetër?
Nuk e di. Mund të jetë një rilindje e përbashkët.
Ta gjejnë vetë ata të dy?
Po, ta gjejnë vetë. LSI-ja integrim është, integrimi është i hapur për të gjithë, edhe për socialistët, edhe për demokratët.
Meta, në këto momente marrëdhëniet e LSI-së, në radhë të parë me PS-në, por edhe tuajat personale me z. Rama, publikisht nuk duken mirë, a mund të na thoni ju ç’ka ndodhur mes jush dhe z. Rama? Sepse nga momenti që ju jeni zgjedhur President i Republikës ose ka ironi në deklarata, ose ka kundërdeklarata, ose ka akuza, kundërakuza e kritika?
Unë nuk mendoj se ka ndodhur diçka në raportin tim me z. Rama, por problemi i z. Rama është se nuk e di se çfarë kërkon dhe se çfarë do të bëjë në këtë vend dhe nuk e kupton që të jesh Kryeministër apo të kesh një pozicion të caktuar, nuk do të thotë të sillesh si pronar i vendit dhe të bësh çfarë të duash me institucionet, me demokracinë, me votën e qytetarëve.
Të kesh në mendje vetëm një reformë për të përqendruar të gjitha pushtetet në një dorë, është një marrëzi, nuk është një projekt, nuk është një vizion. Në këtë drejtim, mendoj se shqetësimi i tij ka qenë vetëm qëndrimi im parimor dhe i Lëvizjes Socialiste për Integrim në dy momente kyçe, por ka edhe çështje të tjera, mendoj unë: një është te reforma në drejtësi, ku ai donte të bënte një reformë në drejtësi pa opozitën, me qëllim kapjen e plotë të sistemit të drejtësisë, në kundërshtim edhe me rekomandimet e Komisionit të Venecias, dhe arriti të manipulonte edhe shumë ndërkombëtarë, por padyshim që dështoi për arsye se…
I manipuloi ndërkombëtarët?
Arriti të manipulonte shumë për shkak të paaftësisë të opozitës, e cila nuk ishte shumë koherente, e para.
E dyta, edhe kur kishte të drejtë, për shkak të shumë gabimeve në menaxhimin edhe të inkoherencës së saj nuk arriti dot të mbronte drejtësinë e pozicionit të saj. Natyrisht, të gjithë e dinë shumë mirë që pengesa për të miratuar një reformë të tillë, e cila nuk synonte vetëm kapjen e reformës së drejtësisë, por synonte edhe shpërbërjen e opozitës në Parlament, pasi dihet që shumë deputetë ishin nxitur, ishin përpunuar për të votuar këtë reformë, sepse këta donin drejtësi, këta të tjerët nuk donin drejtësi, për ta nxjerrë opozitën nga institucionet dhe për ta shpërbërë Partinë Demokratike.
Unë, natyrisht, këtë nuk e bëra për hir të Partisë Demokratike, sepse nuk është se kam ndonjë detyrim të veçantë, por për hir të demokracisë në vend dhe për pasojat që do të sillte kjo gjë. Në rast se do të kishte ndodhur ajo që donte zoti Rama dhe ajo që ai kishte në mendje, pa dyshim që Shqipëria do të kishte hyrë në një krizë të thellë që në atë moment, së pari.
Së dyti, pa dyshim që do të kishim pasur probleme të jashtëzakonshme me procesin e integrimit europian. Nuk mund të kishte kurrë Shqipëria një rekomandim pozitiv për hapjen e negociatave në rast se reforma nuk do të kishte kaluar me konsensus. Kjo është një çështje e mbyllur dhe nuk e dimë më se çfarë do të kishte ndodhur tjetër.
Rasti i dytë problematik, ose shqetësimi i tij i dytë, natyrisht ka të bëjë me çështjen aktuale të zgjedhjeve, ku është e qartë se edhe ai vetë donte të zgjidhej pa opozitën. Këmbëngulja e tij ka qenë madhe dhe e fortë. Pavarësisht se opozita kishte teprime e saj në qëndrim, në pozicione deri edhe ekstreme, padyshim që ai e provokonte në mënyrë të vazhdueshme opozitën, sepse ai nuk donte që opozita, praktikisht, të përfshihej në zgjedhje.
Po, por pastaj ndenjën 5 orë brenda…
Ata ndenjën brenda, pasi dështoi skenari i Ramës për të bërë zgjedhje pa opozitën. Kur të gjitha partitë e imponuan atë tryezë, ai e pa që nuk mund të merrte përgjegjësinë i vetëm për këtë çështje dhe nuk do të ndiqej nga askush tjetër, atëherë i bëri një ftesë kryetarit të opozitës dhe, natyrisht, besoj se kanë bërë një marrëveshje për të zgjidhur hallet e tyre, por nuk besoj se kanë bërë një marrëveshje për të kontribuar për standardet më të larta dhe më të ndershme të zgjedhjeve për qytetarët shqiptarë.
Po ju e kërkuat atë marrëveshje, pse tani e quani që e kanë bërë për hallet e tyre?
Patjetër, ne e kërkuam përfshirjen e opozitës, por duket qartë që kjo marrëveshje është bërë në një mungesë transparence, sepse marrëveshja realisht duhet të ishte bërë në tryezën e partive parlamentare, të cilat e organizuan këtë tryezë…
A ia keni thënë këtë Ramës?
Nuk ka fare nevojë t’ia them, ose po ia them këtu dhe, së dyti, kjo marrëveshje duhet të ishte transparente, nuk duhej të cenonte as Kushtetutën, as Kodin Zgjedhor dhe as mundësitë e koalicioneve ndërmjet partive të tjera.
Natyrisht që ishte një marrëveshje me idenë dhe me mendimin për të dëmtuar forcat e tjera politike, përfshirë edhe partitë aleate, përveç LSI-së, e cila nuk dëmtohet nga kjo marrëveshje, pra nga konkurrimi pa koalicione, por partitë e reja, të cilat janë në konkurrim, pa dyshim që dëmtohen, sepse e kanë të pamundur të arrijnë diku pragun për të marrë një deputet apo diçka më shumë.
Si e shikoni “dashurinë” midis Ramës dhe Bashës në këto momente?
Nuk shikoj asnjë lloj serioziteti në marrëdhënien e tyre në raport me zgjedhjet, në raport me fushatën, është diçka e trukuar. Mendoj se ata janë në një hall të madh. Halli i tyre mendoj se është rritja e madhe e LSI-së, këtë më duhet ta theksoj, e cila i shqetëson të dyja palët, për fatin e keq, të tyre më shumë, i ka bashkuar për ta cenuar këtë proces në mënyrën më abuzive dhe më absurde.
Shqiptarët e kanë të qartë tani se çfarë përfaqësojnë të dy këta kryetarë dhe besoj se e kanë edhe socialistët, e kanë edhe demokratët, kështu që u mbetet atyre të gjykojnë me votën tyre.