Kryeministri Edi Rama ka qenë pasditen e sotme në Has ku ka ripërsëritur vëmendjen e PS-së ndaj përfshirjes së femrave në politikë.
Rama tha se Partia Demokratike është gjobitur për mungesën e femrave në listat e kandidatëve, përfshirë edhe Qarkun Kukës ku nuk ka asnjë kandidate femër.
“PD është gjobitur për 5 qarqet ku nuk ka përfshirë asnjë grua apo vajzë. Këta të Republikës së Re i kanë lënë jashtë liste apo në fund të listës siç i linin dikur jashtë oborrit kur burrat hanin keca dhe pinin raki. Dhe kur? Sot në shekullin XXI” – tha Rama në Has.
Kreu i PS tha se vota më 25 qershor nuk është biletë stadiumi.
“Luli është i mirë për në televizor. Ama në televizor Lulin e keni në botën e vet. Merrni në telefon të gjithë kushurinjtë që keni në Tiranë dhe pyetini nëse ka bërë ndonjë punë 4 vjet. Jo vetëm nuk ka bërë, por 4 vite sahati i Tiranës nuk punonte” – tha Rama.
Kryeministri ka vijuar batutat me banorët duke u kërkuar të bëhen miq siç tha ai: “siç jam unë me Lulin”.
Ndërkohë takimi i Ramës në sheshin e Hasit është ndjekur edhe nga dhjetëra demokratë të cilët ndodheshin në ballkonin e zyrës së PD. Rama ka replikuar me ta ndërsa simpatizantët e PD ngrinin dy gishtat.
“Ashut pra, votoni numrin 2. Se ju më keni borxh mua se ju nxorra nga çadra. Po t’mos e nxirrja unë Lulin nga çadra ju nuk do ishit sot në Kukës por në çadër. Lulin mbajeni në zemër, mua në mendje. Ai flet në TV dhe pastaj fle gjumë, ndërsa ne vazhdojmë punën. Votat për Lulin janë si pilula për gjumë” – tha Rama. /javanews/b.d