Dorëzohet në Gjykatën e Lartë rekursi i prokurorisë kundër vendimit të gjykatës, e cila dha pafajësi për personat e dyshuar si anëtarë të “Hakmarrjes për Drejtësi”. Në datën 25 maj 2017, Gjykata e Lartë ka shpallur regjistrimin e çështjes me rekurs të prokurorisë, e cila është shprehur kundër vendimit që dha pafajësinë për të pandehurit e kësaj çështjeje.
Çështja penale me të pandehur Orik Shyti, Altin Arapi, Gentian Caka, Nikolin Novruzaj, Roland Shyti, Leart Shyti, Kreshnik Spahiu, Paso Novruzaj, Gëzim Gjoni e Dritan Hate, pritet të shqyrtohet tashmë në Gjykatën e Lartë pas regjistrimit aty. Prokuroria ka kërkuar që çështja të kthehet në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe të zhvillohet shqyrtimi i provave, apo marrja e tyre rishtazi në lidhje me një sërë akuzash të rënda.
Sipas Prokurorisë, të pandehurit duhet të gjykohen për akuzat: “akte terroriste”; “vrasje në rrethana të tjera cilë- suese”; “vrasje me dashje”, e mbetur në tentativë; “vjedhje me pasojë vdekjen” në dy raste; “vjedhje e bankave dhe arkave të kursimit” në dy raste, “rrëmbim dhe mbajtje peng e personit në rrethana lehtë- suese” në bashkëpunim, në formën e organizatës kriminale etj. Prokuroria kërkon në Gjykatën e Lartë që çështja të kthehet për rigjykim në Shkallën e Parë, ku të rimerren provat për të cilat ka vërejtje.
VENDIMI I APELIT
Në shkurt 2016 Gjykata e Apelit për Krimet të Rënda i rrëzoi të gjitha këto akuza, duke dhënë me vendim të formës së prerë pafajësi dhe lirim nga çdo akuzë për të gjithë të pandehurit. Sipas Gjykatës, provat kryesore të paraqitura në proces ose ishin absolutisht të papërdorshme, ose ishin marrë në formën e gabuar ligjore e procedurale, çka i bënte ato të pavlefshme.
Prokuroria ishte kundër vendimmarrjes në Gjykatën e Apelit dhe kërkoi në atë seancë që dosja të rikthehej në Gjykatën e Shkallës së Parë për një rishqyrtim të plotë gjyqësor. “Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda vendosi ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda të datës 1.07.2008”, u lexua vendimi i shkurtuar, i cili deklaroi të pafajshëm të gjithë të pandehurit e dosjes.
Në të njëjtin vendim gjykata urdhëroi shuarjen e masës së sigurisë të caktuara në mungesë ndaj të pandehurve, si dhe lirimin e dy të pandehurve që ndodhen në qeli, Gentian Çaka dhe Dritan Hate. Vendimi i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda u dha më 13 shkurt 2017 dhe menjëherë KLD-ja deklaroi nisjen e një hetimi për këtë rast.
ma.me