Pas sulmit të fundit terrorist në Londër, Gjermania po diskuton për marrjen e masave më të ashpra mbikëqyrjeje në mjedisin islamik. Nën vëzhgim do të jenë edhe të miturit.
Koalicioni qeverisës vendosi ta ulë nga 18 në 14 vjeç moshën e personave që mund të monitorohen dhe hetohen, ndërsa landi i bavarisë shkoi edhe më tej me pretendimet që në rast dyshimi, në vëmendjen e organeve hetimore të vendosen edhe të mitur të moshës 12 vjeç.
Kjo mund të ndodhë sidomos nëse ka dyshime konkrete se fëmijët mund të jenë përfshirë në mjedise të rrezikshme.
Megjithatë, kryetarja e Këshillit gjerman të Federatës, kryeministrja e landit Rheinland-Pfalz Malu Dreyer, e kritikoi propozimin e bërë nga ministri i Brendshëm i Bavarisë Joachim Herrmann për ta ulur edhe më tej moshën e personave që mund të mbikëqyren.
Sipas saj, vërtet që është një realitet i hidhur që fëmijët radikalizohen me qëllim, po më e rëndësishme, sipas saj, është të investohet në masa parandaluese. Të dhënat e organeve gjermane të Mbrojtjes Kushtetuese tregojnë se shteti islamik i ka shtuar në mënyrë të veçantë përpjekjet për rekrutimin e grave dhe fëmijëve.
Një rol të rëndësishëm në këtë drejtim, thotë DW, luajnë sidomos rrjetet sociale dhe grupet në WhatsApp./a.ç