Presidenti amerikan, Donald Trump, propozoi të hënën privatizimin e sistemit të kontrollit të trafikut ajror të vendit, duke thënë se nevojiten reforma për të shkurtuar kohën e udhëtimit ajror, kostot e karburantit dhe vonesat për udhëtarët.Presidenti tha se sistemi i kontrollit të trafikut ajror nën Administratën Federale të Aviacionit “ka mbetur në të kaluarën dhe kjo është e dhimbshme.”
Ky sistem, tha Trump, është projektuar dekada më parë, kur vendi kishte 180,000 udhëtarë në vit dhe jo për kohën e sotme me gati një miliardë udhëtarë.Ai e quajti sistemin “të lashtë, të vjetëruar, të tmerrshëm dhe që nuk funksionon.”Zoti Trump tha se joefikasiteti i trafikut ajror i kushton vendin deri në 25 miliardë dollarë në vit. Ai i bëri thirrje Kongresit të krijojë një kompani private, jofitimprurëse për të drejtuar sistemin. Privatizimi i kontrollit të trafikut ajror është një ide që në të kaluarën ka hasur rezistencë nga disa ligjvënës ose që është zvarritur për shkak të përparësive të tjera.Presidenti pritet të shkojë në Ohajo këtë javë, ku do të diskutojë rreth përmirësimit të sistemit të transportit ujor të prodhimeve bujqësore.
Të premten ai ka në plan të vizitojë Departamentin e Transportit për të folur rreth reformave për përmirësimin e transportit rrugor dhe hekurudhor.
Gjatë fushatës elektorale presidenti bëri thirrje për të investuar 1 trilion dollarë për të përmirësuar infrastrukturën e vendit.
Në buxhetin për vitin e ardhshëm administrata ka parashikuar 200 miliardë dollarë investime në infrastrukturë, që zyrtarët shpresojnë të pasohen nga investime të tjera.
Zyrtarët po ashtu kanë diskutuar mundësinë që të nxisin administratat e shteteve të shesin tek firmat private objekte të ndryshme infrastrukturore.
Senatori demokrat Brian Schatz, që përfaqëson shtetin e Haëait tha se kjo qasje është “praktikisht e kundërta e një plani investimesh në infrastrukturë” dhe “është e destinuar të dështojë pa lindur ende”. (b.an)