Një incident i rëndë elektoral është regjistruar në Lezhë. Një kandidat për deputet është kërcënuar nga persona të maskuar. Atij i është kërkuar të tërhiqet nga gara.
Më datë 04.06.2017, rreth orës 12.30, është paraqitur në Komisariatin e Policisë Lezhë, shtetasi L.N. vjeç 34, banues në Shënkoll në Lezhë, përfaqësues i një subjekti politik, aktualisht kandidat për deputet në qarkun Lezhë. Ky shtetas ka kallëzuar se më datë 03.06.2017, rreth orës 23:15, në momentin që ka qenë duke shkuar në banesën e tij është kanosur nga 2 persona të panjohur dhe të maskuar që sipas kallëzuesit dispononin armë zjarri pistoletë , të cilët pasi e kanë ndaluar me automjetin e tij, e kanë kërcënuar duke i kërkuar që të tërhiqej nga kandidimi. U kryen veprimet e para hetimore dhe po punohet për identifikimin e autorëve të dyshuar dhe dokumentimin e ngjarjes. Materialet do ti kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë. Neni 325 i Kodit Penal./a.m.