Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, së bashku me përfaqësues të tjerë të Policisë Shqiptare, ka zhvilluar një takim në qytetin e Podgoricës me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Malit të Zi Slavko Stojanovic.
Në këtë takim u nënshkrua Protokolli e Marrëveshjes “Për bashkëpunimin gjatë sezonit turistik 2017”, midis Policisë së Malit të Zi dhe Policisë së Shtetit Shqiptar.
Në këtë takim, ai shprehu falënderimet e tij për pritjen dhe në të njëjtën kohë për bashkëpunimin e frytshëm midis dy Policive, si dhe theksoi se faktori kryesor i këtij bashkëpunimi është interesi i njëjtë gjeografik e policor, ku prioritetet janë të përbashkëta në kuadër të anëtarësimit në BE.
“Jemi të hapur që bashkarisht të vazhdojmë luftën ndaj krimit të organizuar, trafikut të paligjshëm të drogës, qënieve njerëzore, armëve (sidomos eksplozivave) automjeteve, krimit ndërkufitar e terrorizmit. Të forcojmë kontrollin e kufirit të gjelbër dhe pikat e kalimit duke organizuar grupe të përbashkëta nga të dy Policitë”, tha Çako.
Nga ana e tij Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Malit të Zi, Slavko Stojanovic, vlerësoi si të shkëlqyer bashkëpunimin e deritanishëm dhe shprehu kënaqësinë për marrëveshjen e arritur me Policinë e Shtetit Shqiptar. Ai theksoi se bashkëpunimi midis dy Policive do të jetë akoma më i mirë, më efikas, në përmbushje të prioriteteve të përbashkëta, si dhe të prioriteteve në interes të rajonit e më gjerë:
“Dua të vlerësoj bashkëpunimin e zyrave të Interpolit të të dy Policive, ku shkëmbimi i informacionit dhe koordinimi i veprimeve të përbashkëta janë për tu marrë shembull”. Në përfundim të këtij takimi, u nënshkrua Protokolli i Bashkëpunimit “Gjatë Sezonit Turistik 2017”./a.m.