Real Madridi është skuadër “perfekte” dhe nuk ka nevojë të transferojë apo shes lojtarë gjatë verës, kështu thotë Ramon Calderon.
Ish presidenti i Real Madridit, Ramon Calderon, beson se Zinedine Zidane nuk ka nevojë të ndryshojë skuadrën.
Calderon, ka mbetur i habitur me punën e trajnerit francez, i cili brenda 18 muajve në krye të klubit, udhëhoqi Realin drejt La Ligas dhe dy titujve të Ligës së Kampionëve, duke shkruar histori.David de Gea dhe Kylian Mbappe janë prioritetet e Realit gjatë verës, derisa pritet të largohen Alvaro Morata e James Rodriguez.
Por, Calderon insiston se “Los Blancos” nuk kanë nevojë për përforcime, por as edhe nuk duhet t’i shesin lojtarët, megjithëse duke e ditur si është Reali, ai pret të ketë lëvizje gjatë verës.
“Në të gjitha repartet janë të balancuar. Mendoj se mesfushorët kanë qenë të mrekullueshëm duke ndihmuar sulmin, pavarësisht mungesës së gjatë të Gareth Bale. Isco luajti për mrekulli”, tha Calderon për “talkSPORT”.
“Nuk mendoj se kemi nevojë për ndonjë transferim. Jam i sigurt se do të ndodhë kjo, pasi gjithmonë ndodh”, shtoi ai.“Por mendoj se ekipi është i mrekullueshëm. Nëse vjen dikush me tipare lojtarësh siç janë në skuadër, atëherë ata duhet të largohen. Kjo është për të ardhur keq”, përfundoi Calderon, përgatiti ”Gazeta Express”. (b.an)