“Asnjë pëllëmbë tokë e Kosovës nuk është humbur dhe nuk do të lejojmë të humbasë”, deklaroi të dielën në Junik, Avdullah Hoti, kandidati për kryeministër nga koalicioni parazgjedhor LDK- AKR -Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi.
Në fjalën e tij Hoti theksoi se “sot jemi në Junik në vendin e traditës, të fjalës dhe besës. Prandaj ne sot jemi këtu për të kërkuar besë për mbështetje si në kohën e Rugovës”.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, u shpreh se Avdullah Hoti punën e qeverisjes së shtetit do ta bëjë në mënyrën më të mirë.
“Ju ftoj që të bindni çdo qytetar të zgjedhin LDK-në, t’i mundim ata që kanë qeverisë keq për 17 vite në Kosovë”, tha Mustafa.
Ndërsa themeluesja e lëvizjes së re Alternativa, Mimoza Kusari Lila, u shpreh se “ky koalicion i jep Kosovës ushtrinë. Ky koalicion është shembulli më i mirë i integritetit. Ky koalicion nuk ka zënë karrige, por ka lëshuar karrige dhe për këtë shembulli më i mirë është Isa Mustafa, i cili i hapi rrugën Avdullah Hotit”.
Pas Junikut zyrtarë të koalicionit do të mbajnë fushatë zgjedhore edhe në Pejë dhe Deçan./KosovaPress/b.d