Gjykata e Tiranës liroi dje nga qelitë e paraburgimit Ardiana Hoxhën, prindin e një nxënësi të Liceut Artistik “Jordan Misja”, e denoncuar për dhunë nga ana e drejtoreshës së këtij institucioni arsimor, shkruan “Panorama”.
E dyshuara për veprat penale të “goditjes për shkak të detyrës” dhe të “kundërshtimit me dhunë të punonjësit të policisë” do të hetohet në masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”.
Në sallën e gjyqit, e dyshuara mohoi me forcë pretendimet e Prokurorisë, se ajo ka dhunuar drejtoreshën e shkollës së të birit, si dhe që bashkë me djalin dhe vajzën e saj kanë kundërshtuar punonjës të policisë së Komisariatit nr.1.
“Mbrojta fëmijët e mi. Pashë një mësues t’i qëllonte djalit tim”, ka pretenduar 46-vjeçarja. Burime brenda sallës së gjyqit pohuan se para Gjykatës e dyshuara ka pretenduar se djali i saj është dhunuar fizikisht nga anëtarë të stafit akademik në Liceun Artistik.
Po ashtu, ajo ka pretenduar se ndaj djalit është ushtruar dhunë edhe në Komisariatin e Policisë.
“Kam shkuar të bëj kallëzim, por nuk më pranonin kallëzimin”, mësohet të jetë shprehur e dyshuara. Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Prokurorisë në sallën e gjyqit i ka thënë Gjykatës se ka dyshime se 46- vjeçarja ka ushtruar dhunë ndaj drejtoreshës së Liceut Artistik.
Sipas Prokurorisë, fillimisht me drejtoreshën është përballur djali i 46-vjeçares, i cili rrezikonte të mos kalonte vitin, për shkak të numrit të lartë të mungesave. Djali 15-vjeçar dhe vajza 18- vjeçare e saj janë proceduar në gjendje të lirë./panorama/ma.me