Këshilli i ministrave ka miratuar këtë të premte vendimin për ngritjen e një Task- Force e cila do të monitorojë në imtësi pjesëmarrjen e administratës publike në fushatën zgjedhore.
Kjo strukturë do të drejtohet nga Zv.Kryeministrja Ledina Mandija.
Vendimi sqaron në imtësi se kush do të jetë subjekt i monitorimit, duke nisur nga punonjësi i thjeshtë deri tek funksionarët e lartë shtetërorë.
Në vendim është saktësuar se anjë punonjës nuk ka të drejtë të marrë pjesë në fushatë zgjedhore në orar pune apo pranë zyrave të punës.
V E N D I M
PËRMARRJEN E MASAVE DHE MONITORIMIN E VEPRIMTARISË, SJELLJES APO PËRDORIMIT TË BURIMEVE NJERËZORE, FINANCIARE DHE LOGJISTIKE TË ADMINISTRATËS SHTETËRORE, GJATË PROCESIT ZGJEDHOR PËR ZGJEDHJET NË KUVENDIN E SHQIPËRISË PËR VITIN 2017
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 3, pika 7, 63, pika 4, 78, pika 5, e 88, të ligjit nr.10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.9131, datë 8.9.2003, “Për rregullat e etikës në administratën publike”, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Marrjen e masave dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë për vitin 2017, me qëllim nxitjen e paanshmërisë dhe trajtimit të barabartë të kandidatëve e partive politike në marrëdhëniet me administratën shtetërore dhe burimet e saj, për krijimin e kushteve të drejta e të barabarta për të gjithë kandidatët dhe partitë politike në procesin elektoral, si dhe për mospërdorimin e fondeve dhe burimeve publike për qëllime partiake.
2. Në kuptim të këtij vendimi:
– Administratë shtetërore është administrata nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave, sipas nenit 1, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, ku përfshihen institucionet e përmendura në pikën 2, të nenit 4, të këtij ligji, ndaj të cilëve ky vendim do të zbatohet;
– Punonjës të administratës shtetërore, ndaj të cilëve zbatohet ky vendim, sipas statusit të tyre janë nëpunës civilë dhe punonjës administrativë, në përputhje me përkufizimet e dhëna në nenin 4, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, si dhe punonjës të tjerë civilë, marrëdhëniet e punës të të cilëve rregullohen me Kodin e Punës;
– Funksionarë kabineti janë nëpunës të administratës, sipas përkufizimit të nenit 4, të ligjit nr.152/2013, ndaj të cilëve nuk zbatohet ky vendim;
– Punonjës policie, punonjës të shërbimit të jashtëm, të përmendur në nenin 3, të ligjit nr.152/2013, si dhe punonjës të tjerë, statusi i të cilëve ose elementë të tjerë rregullohen me ligje të posaçme, janë punonjës të administratës shtetërore, ndaj të cilëve, përveç dispozitave të përgjithshme të këtij vendimi, do të zbatohen edhe dispozitat e veçanta për secilën prej kategorive të përmendura, për çdo rast, në mënyrë të drejtpërdrejtë në këtë vendim.
3. Punonjësit të administratës shtetërore, gjatë periudhës së procesit zgjedhor, i krijohen kushtet e nevojshme dhe i garantohet moscenimi i të drejtave dhe lirive themelore, kushtetuese, për të shprehur fjalën e lirë dhe për të marrë pjesë në veprimtari politike, brenda kufizimeve dhe ndalimeve, të përcaktuara me dispozita të veçanta të legjislacionit në fuqi, që rregullojnë dhe janë të vlefshme gjatë këtij procesi zgjedhor.
4. Punonjësi i administratës shtetërore, pas orarit zyrtar të punës dhe jashtë mjediseve të institucioneve shtetërore, ka të drejtë të marrë pjesë në veprimtari politike apo zgjedhore të një partie politike ose kandidati në zgjedhje.
5. Punonjësi i administratës shtetërore ka të drejtë të angazhohet si komisioner zgjedhor, në përbërje të KZAZ-ve, KQV-ve dhe GNV-ve, pasi të ketë njoftuar paraprakisht me shkrim eprorin direkt dhe njësinë e personelit për këtë veprimtari dhe të ketë marrë lejen me shkrim nga eprori direkt. Angazhimi si komisioner nuk duhet të ndikojë në përmbushjen e detyrave funksionale si pjesë e shërbimit civil.
6. Punonjësit të administratës shtetërore, gjatë orarit zyrtar të punës dhe brenda mjediseve të institucioneve shtetërore, i ndalohet çdolloj pjesëmarrjeje në veprimtari politike apo fushatë zgjedhore të një partie politike ose kandidati në zgjedhje.
7. Nëpunësit civil, gjatë pjesëmarrjes në veprimtari, sipas pikës 4, të këtij vendimi, në kuptim të nenit 37, të ligjit nr.152/2013, të ndryshuar, i ndalohet:
8. a) të bëjë fushatë për një subjekt zgjedhor;
9. b) të manifestojë me pankarta, parrulla apo çdo mjet tjetër të shkruar dhe të ekspozuar publikisht;
10. c) të jetë protagonist në aktivitetet/veprimtaritë politike.
11. Punonjësit të Policisë së Shtetit i ndalohet:
– të jetë anëtar i një partie ose organizate politike;
– të mbështetë fushatën e një partie, organizate politike, të një anëtari partie politike apo të një kandidati të pavarur, duke marrë pjesë ose kontribuar fizikisht ose financiarisht.
9. Punonjësit të Gardës së Republikës i ndalohet:
– të sillet dhe të mbajë qëndrime që cenojnë natyrën e depolitizuar të Gardës;
– anëtarësimi e pjesëmarrja në veprimtari të partive a të shoqatave politike.
10. Punonjësit të Shërbimit Informativ të Shtetit i ndalohet:
– të manifestojë sjellje dhe të mbajë qëndrime, që cenojnë natyrën e depolitizuar të institucionit;
– anëtarësimi dhe pjesëmarrja në veprimtaritë e partive apo të shoqatave politike;
– të bëjë propagandë në favor ose kundër partive, shoqatave politike ose kundër kandidatëve në zgjedhje.
11. Ushtarakut aktiv të Forcave të Armatosura i ndalohet:
– të jetë anëtar i partive politike, i organizatave ose shoqatave me karakter politik;
– të marrë pjesë në veprimtaritë politike që organizohen prej tyre.
12. Punonjësit të administratës shtetërore i ndalohet të përdorë të mirat publike, funksionin ose veprimtarinë shtetërore ose burimet financiare a njerëzore, me qëllim favorizimin e një partie politike ose kandidati në zgjedhje.
13. Titullarët e ministrive dhe/ose drejtuesit e institucioneve të varësisë ose personat e ngarkuar prej tyre të organizojnë menjëherë punën dhe të marrin masat e nevojshme për garantimin e zbatimit të detyrimeve ligjore, për ndalimin e vënies në përdorim për subjektet zgjedhore të veprimtarisë së tyre institucionale, mjeteve, fondeve e materialeve të ndryshme, pronë e administratës shtetërore, si dhe të burimeve njerëzore të institucioneve të administratës shtetërore, të çdo niveli, për zgjedhjet e Kuvendit, të datës 25 qershor 2017.
14. Titullarët e ministrive dhe/ose drejtuesit e institucioneve të varësisë ose personat e ngarkuar prej tyre të kontrollojnë në mënyrë periodike veprimtarinë e nëpunësve nën varësinë e tyre, me qëllim shmangien dhe parandalimin e nxitjes apo kërkesës për përfshirjen e punonjësve të administratës shtetërore në veprimtari politike apo në mbështetje të një partie politike ose kandidati në zgjedhje.
Për efekt të zbatimit të kësaj pike, përveç masave të tjera, titullarët janë të detyruar që të publikojnë të dhënat e tyre të kontaktit në faqen zyrtare të internetit, duke kërkuar denoncimin e çdo rasti të përfshirjes ose nxitjes apo kërkesës për përfshirjen e punonjësve të administratës shtetërore në veprimtari politike apo në mbështetje të një partie politike ose kandidati në zgjedhje.
15. Titullarët e ministrive dhe/ose drejtuesit e institucioneve të varësisë ose personat e ngarkuar prej tyre verifikojnë dhe analizojnë të gjitha të dhënat që kanë të bëjnë me përdorimin e mjeteve, fondeve e materialeve të ndryshme, si dhe mënyrën e ushtrimit të veprimtarisë institucionale, gjatë periudhës përpara fillimit dhe gjatë fushatës zgjedhore, në funksion të evidentimit të përdorimit ose jo të tyre për qëllime elektorale.
16. Titullarët e ministrive dhe/ose drejtuesit e institucioneve të varësisë ose personat e ngarkuar prej tyre marrin masa dhe realizojnë monitorimin e zbatimit të tyre, për të garantuar mospërdorimin e:
17. a) burimeve njerëzore të institucionit në funksion të veprimtarisë së fushatës zgjedhore të subjekteve zgjedhore, të regjistruara për këto zgjedhje, në zbatim të nenit 14, të ligjit nr.9131, datë 8.9.2003, “Për rregullat e etikës në administratën publike”;
18. b) fondeve të institucioneve për veprimtaritë e fushatës zgjedhore të subjekteve zgjedhore, të regjistruara për këto zgjedhje;
19. c) mjeteve dhe materialeve në inventar të institucionit për veprimtaritë e fushatës zgjedhore të subjekteve zgjedhore, të regjistruara për këto zgjedhje;
ç) zhvillimit të fushatës zgjedhore në institucionet publike apo realizimit të propagandës politike në to;
1. d) veprimtarisë shtetërore për të favorizuar subjekte të caktuara zgjedhore;
2. dh) detyruar, në fushatë zgjedhore, të administratës së institucionit brenda ose jashtë orarit të punës, si dhe të nxënësve të sistemit shkollor parauniversitar brenda ose jashtë orarit mësimor.
3. Në zbatim të përcaktimeve të pikës 4, të nenit 63, të ligjit nr.10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 37, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, titullarët e ministrive ose drejtuesit e institucioneve të varësisë marrin masa për pezullimin nga detyra të nëpunësve civilë të institucioneve të tyre, të cilët janë regjistruar si kandidatë për zgjedhjet e Kuvendit, të datës 25 qershor 2017. Për nëpunësit e tjerë, marrëdhënia e punës të të cilëve rregullohet nga Kodi i Punës, merren masa, sipas rastit, për ndërprerjen e marrëdhënies së punës apo pezullimin nga detyra në rastet kur rezultojnë që janë regjistruar si kandidatë në listat e zgjedhjeve.
4. Gjatë periudhës së fushatës zgjedhore, automjetet si dhe karburanti, në përdorim të titullarit apo institucionit të administratës shtetërore, ndalohen të përdoren për veprimtari të fushatës zgjedhore të subjekteve zgjedhore, të regjistruara në zgjedhje.
Bën përjashtim nga ky ndalim përdorimi i automjeteve të Gardës së Republikës dhe të Policisë së Shtetit, në përmbushje të detyrave të tyre funksionale.
Strukturat e Policisë së Shtetit, kur konstatojnë përdorimin e automjeteve shtetërore të institucioneve të pushtetit qendror e vendor për veprimtari të fushatës zgjedhore, të bëjnë bllokimin e tyre dhe, menjëherë, të njoftojnë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe titullarin e institucionit në përdorim të të cilit është automjeti. Automjeti të zhbllokohet pas ekzekutimit të masës së marrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në përputhje me Kodin Zgjedhor. Në këtë rast, struktura e Policisë së Shtetit bën referim në organet kompetente për përdorimin e të mirave publike në favor të subjekteve zgjedhore.
19. Titullarët e ministrive dhe/ose drejtuesit e institucioneve të varësisë ose personat e ngarkuar prej tyre marrin masa për të iniciuar procedura të reja prokurimi publik, koncesioni apo partneritet publik-privat, nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi deri në përfundimin e fushatës zgjedhore, me përjashtim të rastit të procedurave urgjente dhe të domosdoshme për funksionimin e institucionit, të cilat vlerësohen dhe miratohen rast pas rasti për të gjitha institucionet e varësisë nga ministri përgjegjës i fushës, pas miratimit paraprak nga Kryeministri.
20. Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, në zbatim të detyrimeve të tij për organizimin e mbledhjes së Këshillit të Ministrave, të marrë masa dhe t’i parashtrojë Kryeministrit mospërfshirjen në rendin e ditës të projektvendimeve në lidhje me koncesione, kontrata apo angazhime të tilla politike, ekonomike apo sociale që nuk vijnë në zbatim të programit analitik të çdo ministrie/institucioni, siç është miratuar nga Këshilli i Ministrave.
21. Ministritë dhe institucionet e varësisë, me qëllim shmangien e keqpërdorimit dhe keqinterpretimit të aktiviteteve institucionale me fushatën elektorale, të publikojnë në faqen e tyre zyrtare:
22. a) deri në datën 5 qershor 2017, të dhënat për aktivitetet publike, të programuara për muajt qershor dhe korrik, që kanë lidhje me veprimtarinë e institucionit;
23. b) listën e projekteve të nisura prej 12 (dymbëdhjetë) muajsh, në ushtrim të punës dhe veprimtarisë së institucionit, të cilat janë në proces përfundimi, si dhe të gjitha procedurat publike konkurruese të realizuara gjatë 12 (dymbëdhjetë) muajve të fundit.
24. Ministritë dhe institucionet/organet e varësisë t’u krijojnë vëzhguesve dhe shoqatave të regjistruara në KQZ, si vëzhguese të procesit zgjedhor, akses të plotë për të marrë informacion në lidhje me detyrimet ligjore të administratës publike në procesin zgjedhor. Ministritë dhe institucionet/organet e varësisë informojnë publikun në mënyrë të vijueshme për monitorimin e realizuar në kuadër të këtij vendimi.
25. Për koordinimin e procesit të monitorimit sipas këtij vendimi, krijohet Task – Forca që drejtohet nga Zëvendëskryeministri dhe ka në përbërje:
– Ministrin e Punëve të Brendshme;
– Ministrin e Mbrojtjes;
– Ministrin e Financave;
– Ministrin e Arsimit dhe Sportit;
– Ministrin e Drejtësisë;
– Ministrin e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin;
– Ministrin e Shtetit për Çështjet Vendore;
– Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave;
– Drejtorin e Departamentit të Administratës Publike;
– Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit;
– Drejtorin e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave, në Ministrinë e Financave.